Derbi i 2008-ës mes Lushnjës dhe Apolonisë, kur futbollisti fierak përfundonte me 3 të qepura

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2020 | 9:29

Derbi i 2008-ës mes Lushnjës dhe Apolonisë, kur futbollisti fierak përfundonte me 3 të qepura

Çdo kampionat ka rëndësinë e vet, por rivaliteti përcakton interesin e vëmendjes së opinionit sportiv. Në këtë sens, spikat Grupi B i së Parës, ku 3 skuadrat e kreut ndahen me nga 2 pikë. Dikton Pogradeci me 39 pikë, pastaj Apolonia me 37 dhe Lushnja me 35. Në këtë trio çifti më me histori mbetet derbi Apolonia-Lushnja, gjithë kohën me grintë, luftë sportive, garë “fair”, rezultate surprizë herë pas here, por nuk mungojnë edhe raste atipike, ku gara ka devijuar nga sportiviteti i zakonshëm, deri në goditje të kundërshtarit.Lushnja-Apolonia

Në Fier Lushnja është ndier komode, ka pasur fyerje e provokime verbale mes publikut, siç ndodh rëndom, por asnjëherë dhunë nga tifozët vendës. Në “Roza Haxhiu” ka pasur edhe ndeshje për t’u harruar në “almanakun” e këtij derbi, si përballja e 29 nëntorit 2008.

NGJARJA – Atë sezon Apolonia dhe Lushnja ishin ngjitur në Superiore dhe rivaliteti i kampionatit të kaluar bëhej më i ashpër mes tyre për hir të mbijetesës në elitë. Fazën e parë fierakët fituan 2-0 në fushën e vet, me gola të Asllanit dhe Dhramit, ndaj lagunarët ishin karikuar për të fituar me domosdo në kthim. Gersi Arbri kalon në avantazh Lushnjën pas 13 minutash, por ndeshja merr tjetër rrjedhë pas golit të barazimit të fierakëve, shënuar 10 minuta më pas nga mbrojtësi serb, Aleksandër Sreçkoviç.

Gjatë festës me tifozët fierakë goditet me gur nga tifozët lushnjarë mbrojtësi Mariglen Shoshi, afër syrit të majtë. Futbollisti fierak transportohet drejt spitalit të Lushnjës, ku merr tri qepje mbi pjesën e syrit. Lojtarët e Apolonisë kanë dashur të tërhiqen nga fusha dhe ndeshja është ndërprerë 7 minuta, por ndërhyrja e drejtuesve të klubit i riktheu në fushë. Një minutë pas rifillimit të lojës Apolonia mbeti me 10 lojtarë, pasi braziliani Junior u ndëshkua me të kuq nga kryesori Tanush Latifi. Pjesa e dytë nuk kishte histori, Lushnja shënon edhe dy herë të tjera me Bubeqin dhe Sisokon, duke fituar 3-1.

DEKLARATAT – Çfarë deklaruan asokohe protagonistët e dy ekipeve? Lushnja drejtohej nga trajneri Vasil Bici, i cili për dëmtimin e Shoshit tha për “Panorama Sport”: “Kam qenë duke parë ndeshjen dhe mendoj se publiku i Lushnjës është i mrekullueshëm e duhet marrë shembull”.SHOSHI

Trajneri i Apolonisë, Esad Karishik, po për “Panorama Sport”, u shpreh: “Kam hasur diçka të paparë kurrë në jetën time, pasi nuk më ka ndodhur asnjëherë që lojtari të goditet nga publiku. Për mua, qysh në atë çast ndeshja quhej e mbaruar. Pasi bisedova me presidentin e klubit dhe drejtorin teknik, vendosëm të luajmë vetëm për prezencën e publikut në stadium, jo për rezultat. Në asnjë vend të Europës nuk ka ndodhur që lojtari të dëmtohet nga publiku dhe ndeshja të vazhdojë, nuk e kuptova këtë gjë. Kanë qenë rreth 30 vendime të gabuara të arbitrit, veç kartonit të kuq ndaj Junior”.

Vetë “viktima” e ndeshjes, Mariglen Shoshi, 21 vjeç atë sezon, thoshte: “Pas golit të barazimit, po përjetonim emocionet e një momenti të tillë dhe vrapuam drejt hekurave, ku ndodheshin tifozët tanë. Në fushë, drejt nesh, po hidheshin sende të forta, shishe plastike, gurë etj. Isha mbrapa shokëve dhe duke parë gjithë situatën, vërshimin e sendeve të forta, shkova t’i tërheq për t’i ruajtur nga ndonjë dëmtim i mundshëm. Sapo tërhoqa Meton, ndjeva dhimbje të tmerrshme në syrin e majtë, shkaktuar nga një gur i madh që erdhi drejt meje. U rrëzova në tokë dhe di që më transportuan në spitalin e Lushnjës”.

hf

Bujar Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"