Derbi brenda familjes, bardheblutë bëjnë goleadë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2015 | 20:20

Derbi brenda familjes, bardheblutë bëjnë goleadë

Çast nga miqësorja 7Nuk ka pushim për Tiranën. Edhe pse derbi u shty për më 12 mars, trajneri Gugash Magani dje kishte programuar një miqësore. Bardheblutë u ndeshën me Tirana B, sfidë që e fituan me rezultatin e thellë 7-3. Në këtë takim, stafet teknike provuan që të gjithë kontingjentin që kanë pasur në dispozicion. Formacionet, në fakt, ishin alternuar brenda familjes bardheblu, teksa binte në sy prezenca e kapitenit Ervin Bulku tek ekipi B, po ashtu edhe i portierit Masel Çaka. Pjesa e parë e këtij testi u mbyll me shifrat 4-2, teksa vlen të përmendet se edhe skuadra, e drejtuar nga Ilir Muça, bëri një paraqitje të mirë duke vënë në vështirësi ekipin e madh. Të parët që kaluan në avantazh ishin bardheblutë, të cilët që në minutën e 20-të zhbllokuan shifrat me anë të Muzakës. Mesfushori shfaqi edhe një herë vlerat e veta, teksa me shumë lehtësi e dërgoi topin në rrjetë.

Por, pa kaluar as 2 minuta, u barazuan shifrat me anë të Kaloshit. Megjithatë, ky rezultat nuk zgjati shumë, pasi në të 30-ën shënoi edhe Ndikumana, i cili shfrytëzoi më së miri një kros të ardhur nga krahët. Por sulmuesi nga Burundi nuk u ndal me kaq, pasi në të 35-ën realizoi edhe golin e dytë personal. Sulmet dhe kundërsulmet vazhduan dhe në minutën e 38-të ishte momenti i Morinës, i cili i çoi shifrat në 4-1. Por, kur pritej mbyllja e këtij fraksioni, Kacoli shënoi golin e dytë për Tirana B dhe 4-2. Pjesa e dytë nisi me ndërrime, teksa Magani dhe Muça aktivizuan lojtarët që kishin të gatshëm në pankinë. Ky fraksion fillon më mirë për Tiranën, e cila gjen sërish rrejtën me anë të Muzakës, por goli anulohet për pozicion jashtë loje. E megjithatë, mesfushori nuk dorëzohet dhe në 60-ën realizon sërish, por këtë herë një gol të rregull dhe 5-2. Kundërpërgjigjet sërish ekipi B, që me anë të Kaloshit shënon golin e 3-të. Por “etja” e bardhebluve nuk ka të sosur dhe ka vend për të tjerë shpërthime në sulm. Kur po afrohej fundi i lojës, është Hyshmeri në të 80-ën dhe Bakaj në të 85-ën që vulosin rezultatin final të kësaj sfide testuese në 7-3.

TIRANA-TIRANA B 7-3
GOLAT: Muzaka 20′, 60′, Ndikumana 30′, 35′, Morina 38′,Hyshmeri 80′, Bakaj 85’/ Kaloshi22′, 63′, Kacoli 40′
TIRANA: Ed.Bakaj, Kërçiku, Muça, Ristevski, Pashaji,A.Taku, Kahata, Ndikumana,Muzaka, Morina, Bushiç;(U aktivizuan: Frashëri,Kalari, Karabeci, El.Bakaj, Sefa,Hyshmeri, Malaj, Domgjoni).
Trajner: Gugash Magani.
TIRANA B: Çaka, Roshi, Lita,Lala, Ndergjoni, Çangu, Bulku,F.Taku, Mjekaj, Kacoli, Kaloshi;(U aktivizuan: Hysenbelliu,Zajmi, Milla, Kurti, etj.).
Trajner: Ilir Muça.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"