Dënimet/ Skënderbeu, Pobjeda… precedentët që mund të djegin Barçën në Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2023 | 21:47

Dënimet/ Skënderbeu, Pobjeda… precedentët që mund të djegin Barçën në Europë

Përfshirja e Barcelonës në çështjen “Negreira” e ka detyruar Barcelonën të futet në telashe të panevojshme në javët në vazhdim. Hetimit të prokurorisë spanjolle i është shtuar edhe ai i çelur nga UEFA.

Collage-Maker-11-Mar-2023-11-32-PM-7953-400x220

UEFA po heton për një “thyerje të rregullores” dhe përfundimi mund të jetë fatal për Barcelonën, që rrezikon deri në përjashtimin e saj nga kompeticionet europiane, si një masë disiplinore për të paktën një sezon, deri në sqarimin e plotë të ngjarjes me vendim të formës së prerë nga gjykata. Pak a shumë një situatë e ngjashme me të cilën mund të përballet edhe Juventusi në Itali. Nëse UEFA konsideron se reputacioni i garave të organizuara prej saj është dëmtuar nga prania e Barcelonës, ajo mund të vendosë ta përjashtojë klubin katalanas nga Europa.

Nuk është hera e parë që UEFA citon nenet 4.02 dhe 4.03 të rregullores së saj disiplinore për të mbrojtur vlerat e saj, lojës së pastër dhe konkurrencës së ndershme. Precedenti i Milanit në vitin 2006 nuk u pëlqye nga UEFA dhe rregullorja u ndryshua në prill 2007 në statutet e UEFA-s. UEFA ka qenë gjithmonë shumë e ashpër kur ka konstatuar shkelje të rënda, që cenojnë integritetin dhe besueshmërinë e garave të saj. Ajo është treguar e ashpër me ato skuadra që kanë thyer rregullat e “fair play financiar” si dhe atyre skuadrave të përfshira në shitblerje ndeshjesh apo korruptim të gjyqtarëve.

Dënimi më i fundit i dhënë nga UEFA ishte ai i dhënë ndaj Fenerbahçes, që u ndëshkua me 2 vjet pjesëmarrje në kupat e Europës (2013-2015) dhe Beshiktashin në sezonin 2013-2014 për faktin se aktivitetet e trukimeve të tyre ishin të vërtetuara, duke u fokusuar në finalen e Kupës së Turqisë në 2011-ën.

Të njëjtin fat pati dhe Steaua e Bukureshtit, që u pezullua me 5 vjet. Në vitin 2009, UEFA e pezulloi “FK Pobeda” në Maqedoni për tetë vjet pa luajtur në garat europiane për “mospërputhje me parimet e integritetit dhe lojës së ndershme sipas nenit 5 të rregullores disiplinore të UEFA-s për manipulimin e rezultatit të një ndeshjeje”. Të njëjtin fat pati edhe klubi shqiptar “KF Skënderbeu” , të cilin UEFA e përjashtoi nga të gjitha garat europiane të futbollit për dhjetë vitet e ardhshme për trukime ndeshjesh në mars 2018.

RASTI I BARCELONËS – Rregullat janë të qarta në lidhje me rastin e Barcelonës. Neni 4.01b i Rregullores së Ligës së Kampioneve detyron skuadrat që duan të marrin pjesë në Europë që “para datës 1 qershor të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm”. UEFA mund të hapë një proces disiplinor përpara kësaj date për të adresuar çështjen.

UEFA e drejtuar nga Aleksandër Ceferin është shumë e vëmendshme ndaj çështjes “Negreira”. “Departamenti i Integritetit të UEFA-s na dërgoi një letër duke kërkuar informacion të plotë për këtë çështje”, tha Andreu Kamps, sekretari i përgjithshëm i federatës spanjolle. Presidenti i La Liga-s, Havier Tebas, gjithashtu i kërkon UEFA-s që të veprojë.

RREGULLORJA QË TREMB – Neni 4.02 i rregullores së UEFA-s thotë: “UEFA arrin në përfundimin se nëse një klub është përfshirë, drejtpërdrejt dhe/ose indirekt, që nga hyrja në fuqi e nenit 50(3) të statutit të UEFA-s, pra më 27 prill 2007, në çdo aktivitet që synon organizimi ose ndikimi në rezultatin e një ndeshjeje në nivel kombëtar ose ndërkombëtar, një klub i tillë do të shpallet i papërshtatshëm nga UEFA për të marrë pjesë në kompeticion.

Një mospërshtatshmëri e tillë është efektive vetëm për një sezon futbolli. Neni 4.03 saktëson më tej: “Përveç masës administrative të shpalljes së një klubi të papërshtatshëm siç parashikohet në paragrafin 4.02, organet e administrimit gjyqësor të UEFA-s, nëse rrethanat e justifikojnë atë, mund të marrin edhe masa disiplinore në përputhje me Rregulloren Disiplinor nga UEFA”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"