Dajës i skadon kontrata, përveç Partizanit edhe Flamurtari do të “rrëmbejë” mesfushorin e Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2018 | 11:07

Dajës i skadon kontrata, përveç Partizanit edhe Flamurtari do të “rrëmbejë” mesfushorin e Tiranës

Asion Daja është zyrtarisht pa ekip. Data 30 qershor përkoi edhe me “skadimin” e kontratës që mesfushori firmosi dy vite më parë me Tiranën. Klubi e ka në plane dhe kjo është më shumë se e sigurt. Madje, për këtë motiv, ata nisën edhe negociatat për rinovimin e marrëveshjes. Por, pa u hedhur e “zeza mbi të bardhë”, ai konsiderohet si një “okazion” në treg, ndaj nuk janë të pakta skuadrat që po mundohet ta rrëmbejnë.

asion daja

Veç Partizanit që ka shfaqur interes për shërbimet e mesfushorit të qendrës, në skenë ka dalë edhe Flamurtari. Këta të fundit e tentojnë, ndërsa dihet që Ilir Daja gjithnjë e ka pëlqyer këtë lojtar, madje ishte pikërisht ai që e mori edhe te Tirana në korrikun e 2016-ës. Shanset që një transferim i tillë të ndodhë, duket disi i vështirë. Vetë 27-vjeçari nuk ka në plan që të marrë kurrfarë vendimi, pa folur fillimisht me drejtuesit kryeqytetas. Zgjedhja e parë mbetet pikërisht Tirana.

Bisedimet për zgjatje kontrate kanë nisur pak ditë më parë, por që të shkohet drejt akordit final dhe rrjedhimisht firmës, kanë mbetur edhe disa terma të tjerë për t’u diskutuar. Gjithsesi, dilemat do të marrin fund në fillim të javës. Klubi ka planifikuar që të “blindojë” përfundimisht dy lojtarët e fundit që i kishin mbetur pa kontratë në hyrje të muajit korrik. Në të njëjtën situatë, sikundër edhe dihet, është Dorian Kërçiku. Ai është gjithashtu i lirë në treg. Por, rasti për mbrojtësit e linjës së djathtë, është disi ndryshe. Me 100 për qind të mundësive ai është bardheblu. Nënshkrimi është një formalitet dhe, nga momenti në moment, pritet që të konfirmohet.

Asion Daja mund edhe të transferohet jashtë vendit, ndërsa menaxheri i tij po punon për ta dërguar në Zvicër te Lugano. Megjithatë, nëse ky “operacion” nuk do të ketë sukses, ai për të tretin vit radhazi do të mbrojë ngjyrat e skuadrës më të titullar në vend. Kur dihet që merkatoja rezervon gjithnjë surpriza, nuk mund të përjashtohet as alternativa e Partizanit dhe Flamurtarit.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"