Daja zbarkon në Vlorë, ja dilemat e merkatos kuqezi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2018 | 11:13

Daja zbarkon në Vlorë, ja dilemat e merkatos kuqezi

Ilir Daja mbërrin në Vlorë dhe nis punën për ndërtimin e Flamurtarit. Trajneri i ri i kuqezinjve, edhe pse ende nuk e ka firmosur zyrtarisht kontratën, kërkon që fillimisht të shohë lëvizjet që po bën klubi sa u përket përforcimeve në merkato. Daja ka lënë në klub një listë lojtarësh, që i do t’i ketë në skuadër për sezonin e ri.

dajaaaaaaaa

Dje ai është takuar në ambientet e klubit me administratorin Sinan Idrizi dhe ka diskutuar për merkaton. Idrizi ka dhënë miratimin e tij, teksa i ka shprehur Dajës të gjithë mbështetjen. Kreu i klubi i ka lënë dorë të lirë Dajës, duke vepruar si me Shpëtim Duron sa i përket merkatos. Por, nga ana tjetër, Idrizi kërkon një ekip elitar me objektiva madhorë.

“Kemi vendosur që sezonin e ri të kemi një Flamurtar ndryshe, me objektiva madhorë. Nuk duam që të dështojmë, ashtu sikundër ka ndodhur vite më parë. Duhet që të punojnë me kujdes në merkato. Keni çdo gjë në dorë. Nuk ju ndërhyj në merkato, këtë nuk e kam bërë me asnjë trajner”, mësohet se kanë qenë fjalët e Idrizit për Dajën.

Daja

AFRIMET – Dje Daja dhe Idrizi kanë folur edhe për lojtarët që kërkojnë të afrojnë. Pritet që këtë javë të nisin zyrtarisht kontaktet me disa futbollistë. Drejtuesit e klubit vlonjat dhe trajneri kërkojnë të marrin shërbimet e sulmuesit që mbylli sezonin me Skënderbeun, Ali Soue, por asgjë nuk është e thjeshtë, sepse gambiani ka kontratë me Kievon.

Shifra prej 8 mijë eurosh në muaj nuk shihet si problem. Në Vlorë besojnë se fakti që Daja ka marrë drejtimin e Flamurtarit, do ta shtyjë Souenë të veshë fanellën kuqezi. Po ashtu, pëlqehen nga Skënderbeu edhe lojtarë që janë pa kontratë si Gjergji Muzaka, Tefik Osmani e Gledi Mici.

RINOVIMET – Useini, Musta dhe Bushiç janë të vetmit futbollistë që kanë rinovuar zyrtarisht kontratën me klubin kuqezi. Por, dje është folur edhe për rinovime të tjera. Pritet që të zgjasë kontratën edhe mbrojtësi Ditmar Bicaj, ndërsa do të kontaktohet këto ditë edhe Danilo Alvesh. Po ashtu do të telefonohet edhe mbrojtësi Goran Siljanovski. Mbetet në dorën e këtyre lojtarëve për të vendosur, pasi kanë oferta edhe nga jashtë Shqipërisë. Ndërkohë, pezull është çështja e Veliut dhe Pollozhanit, të cilët shihen më shumë larg sesa afër kuqezinjve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"