“Daja të ndryshojë strategji, te Partizani të marrin përgjegjësi edhe lojtarët”, Endri Vrapi: Mbrojtësi më i mirë i Superiores është…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2021 | 19:21

“Daja të ndryshojë strategji, te Partizani të marrin përgjegjësi edhe lojtarët”, Endri Vrapi: Mbrojtësi më i mirë i Superiores është…

”Abissnet” Superiore mbylli fazën e parë dhe tashmë kemi një panoramë të qartë të ekipeve që do të mbajnë tempin e këtij sezoni. Partizani është ndoshta e vetmja surprizë e këtij edicioni, me të kuqtë, që në 9 ndeshje kanë grumbulluar po aq pikë dhe renditen të 8-ët, vendi që të çon në “Play Out” për rënien nga Superiorja. Endri Vrapi, ish-mbrojtës i të kuqve dhe një sërë ekipesh të tjera në vendin tonë, ka folur së fundmi për “Panorama Sport”.

endri vrapi

Ai mendon se Partizani në këtë fazë të dytë do të dalë nga kriza, por ka edhe një këshillë për strategjinë e trajnerit të 16 herë kampionëve, Ilir Daja.

Tashmë që e keni mbyllur me futbollin e luajtur, çfarë e zë kohën tuaj më të madhe? Ka ende “shije futbolli” përditshmëria juaj?

Futbolli nuk më është ndarë. Unë aktualisht punoj në shkollën e mjeshtërisë sportive “Loro Boriçi”. Jam trajneri i Shkëndijës, ekipit të shkollës atje. Trajnimi është eksperienca e re pas tërheqjes nga futbolli i luajtur.

Keni luajtur me disa ekipe të Superiores dhe jo vetëm, e veçon dot eksperiencën më të bukur?

Çdo vend ka kujtimet dhe momentet e tij të veçanta, por te Skënderbeu ka qenë eksperienca më e mirë mendoj. Rikthyem titullin në Korçë pas shumë dekadash dhe nisëm dekadën më të suksesshme ndonjëherë për futbollin e Korçës.

Si ju duket gara për titullin e ”Abissnet” Superiore në këtë sezon?

I këtij sezoni është një nga kampionatet më të bukura sepse janë të gjitha ndeshjet të paparashikueshme, të gjithë kanë objektivat e tyre dhe luftojnë për të arritur sa më lart dhe kjo e bën akoma më interesante e të bukur garën në këtë kampionat.

Cili të duket ekipi më i kompletuar dhe i aftë për të fituar titullin?

Gara është e hapur për të gjitha ekipet për arritjen e objektivave dhe nuk mund të veçoj njërin, por të jem realist, mund të them se për momentin renditja e Superiores është e drejtë, për atë që kanë dhënë ekipet deri tani në këtë fazë të parë. Vetëm nga Partizani prisja që të ishin disi më lart në renditje.

Kriza e Partizanit është kryefjala e këtyre ditëve. Çfarë i mungon të kuqve?

Partizanin e kam ndjekur kur kam pasur mundësi. Mendoj se për këtë ecuri jo të mirë duhet të marrin përgjegjësi edhe lojtarët. Ndoshta vërtet trajneri kritikohet dhe merr “barrën” kur rezultatet nuk vijnë, por edhe lojtarët duhet të mbajnë peshën e tyre në këtë situatë.

A është ngërç i momentit apo ky Partizan me këta lojtarë, kaq mund të arrijë?

Jo, mendoj se ky është vetëm një ngërç i momentit për Partizanin. Ajo skuadër ka shumë më shumë për të dhënë. E kanë potencialin e duhur dhe duhet të shkojnë më lart. Nga ana tjetër, fakti që kanë shumë barazime, do të thotë se duhet të shfrytëzojnë më mirë momentet në fazën e sulmit.

Tifozët i kanë kontestuar shumë drejtuesit pas ndeshjes me Laçin, si e shihni këtë situatë?

Unë i kuptoj tifozët sepse ata kërkojnë maksimumin për ekipin e tyre dhe gjithnjë duan ta shikojnë ekipin në krye. Besoj se shumë shpejt Partizani do të arrijë të përmirësohet dhe të shkojë aty ku e duan tifozët. Kam bindje të plotë se në këtë fazë Partizani do të ringrihet dhe do të marrë vendin që i takon.

Trajneri Daja ka si filozofi fitoret me lojë të bukur, por në këtë sezon nuk po korr sukses. Mos duhet të ndryshojnë strategji të kuqtë?

Sa i përket trajnerit Daja, ai ka filozofinë e tij dhe e di më së miri çfarë dëshiron të bëjë. Mendimi im personal është që duhet të fiksohet tek eksperienca, sepse për momentin duhet të grumbullohen pikët dhe me ardhjen e tyre kthehet edhe loja e bukur.

Si ju duket Tirana e sivjetshme? Të hënën i mundi Kukësi dhe para pak ditësh u eliminuan nga Kupa me Dinamon.

Tirana është brenda objektivave të sezonit sepse po bën shumë mirë dhe është komode. Në Kupë bëri maksimumin, por në futboll fati ka rol të madh dhe te penalltitë i dënoi.

Keni luajtur në Korçë në kohët e arta të klubit, por tani situata është tjetër. A mund të qëndrojë Skënderbeu në Superiore këtë sezon?

Skënderbeu është ekip që po luan bukur dhe pavarësisht situatës aktuale, ata janë munduar të marrin maksimumin në çdo ndeshje edhe me lojtarë të rinj. Nuk besoj se ata do e vënë në diskutim qëndrimin në Superiore sepse janë klub që në situata të vështira ia dalin gjithnjë të jenë fitimtarë.

A mund të veçoni një mbrojtës, që ju lë më shumë përshtypje në këtë sezon të Superiores?

Ka disa mbrojtës që premtojnë për të ardhmen dhe po bëjnë mirë, por unë mendoj se Hoxhallari. Ka arritur të bindë Rejën ta marrë në kombëtare edhe pse luan në një kampionat si Superiorja. Rëndësia e tij për Tiranën dihet.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"