Cungu i bën “të fala” Gjicit: Vllaznia është nëna e futbollit!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2017 | 21:19

Cungu i bën “të fala” Gjicit: Vllaznia është nëna e futbollit!

Trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, ka lëshuar një thumbin në adresë të presidentit të Kukësit, Safet Gjici. Ky i fundit kishte akuzuar shkodranët se po luanin për të ndihmuar Partizanin. Por pas ndeshjes së sotme, në “Gol pas Goli’, Cungu i ka kthyer përgjigje në mënyrën e tij.

cungu

Për diskutimet për aludime

“Dua të komplimentoj djemtë për ndeshjen që bëmë, karakterin që treguan dhe u çoj të fala të gjithë atyre që kanë tentuar prej një jave të hedhin llom mbi Vllazninë e Shkodrës. Këta djem e kanë treguar që nuk jemi pjese e askujt dhe thjesht luajmë për interesat e klubit dhe dinjitetin tonë

Sa i përket ndeshjes jam shumë i kënaqur prej lojës, në përgjithësi mendoj se e dominuam lojën, ekipi u soll mirë, me pak kujdes mund të kishim shënuar edhe më tepër. Gjithsesi, futbolli i tillë është, për një pakujdesi kundërshtari barazoi. Por kjo është pjesë e futbollit dhe dua të përgëzoj të gjithë djemtë, ishin të mrekullueshëm”.

Për mungesat e sotme të ekipit

“Normalisht që kishim shumë mungesa sot, 5 titullarë, por edhe lojtarët që ishin në fushë bënë më të mirën, një ndeshje shumë të mirë. Nuk mund të thuash si do shkonte nëse do të ishin, pasi shpesh me të gjithë nuk shprehesh si duhet.

E rëndësishme është që këta djem treguan se duan të luajnë futboll kanë karakter dhe normalisht kjo lloj ndeshjeje është një vitrinë e kampionatit shqiptar pasi në një farë mënyrë çdo sportisti i jepet mundësia për të shpalosur vlerat e tyre. Këta djem bënë gjënë më të mirë të tyre, më të duhurën. Në fund të fundit fitoi Vllaznia, pavarësisht barazimit, mendoj se me atë që dha në fushën e lojës, fitoi Vllaznia”.

Për vazhdimësinë e Vllaznisë

“Natyrshëm që kemi probleme alternativash por duhet kuptuar që kemi ekip të ri apo edhe një lojtar si Kruja që nuk është i ri, por ka humbur dy sezone nga futbolli i luajtur dhe nuk kishte ritmin e duhur. Nëse e keni vënë re edhe sot, alternativat për ndërrime ishin të vogla, aq sa kishim dyshime, mund të na ngelte loja në dorë.

Natyrshëm e shtymë lojën deri në minutat e fundit për t’i marrë më të mirën lojtarëve. Por Vllaznia ka nevojë për alternativa, për të freskuar lojtarët. Po të keni parë sot, e kemi bërë ekipin si fjalëkryq. Shtubinën e kthyem nga sulmues krahu në mbrojtës të majtë, Gocajn nga mbrojtës krahu e vendosëm para mbrojtjes dhe në fund edhe Çinarin e zëvendësova me një lojtar mbrojtës që na ka ardhur në janar vetëm sa për të shtyrë minutazhin e lojës”.

Për futbollin në Shkodër.

“Shkodra ka luajtur gjithmonë futboll, Shkodra ka nxjerrë gjithmonë futbollistë. Shkodra është nëna e futbollit. Por duhet të kujtojmë që kemi një ekip me lojtarë të rinj, sot ndoshta mund të hyjmë në rekorde se të 11 lojtarët ishin shkodranë. Fus këtu edhe Bicajn se është shkodran i lindur këtu e i larguar që herët, janë 11 lojtarë që kanë zbritur në fushën e lojës nga Shkodra.

Me këtë dua të them që kemi ekip të ri dhe normalisht nuk kemi eksperiencën e duhur për të menaxhuar në momente të caktuara lojën, që u reflektua sot por edhe në ndeshje të tjera të kampionatit.

Kemi kaluar në avantazh por nuk kishim qetësinë apo besimin që mund të mbanim një rezultat apo merrnim fitore, janë gabime të vogla të cilat kushtojnë rëndë. Por ekipi është në rritje, djemtë kanë mundësi të luajnë futboll, të çojnë emrin e Vllaznisë aty ku i takon”.

Për mungesën e tifozëve në stadium

“Që nga momenti që kam ardhur kam kërkuar mbështetje nga tifozët se momenti ishte i vështirë. Vllaznia këtë vit është shumë më e bukur se vitet e tjera, po zhvillon lojë dhe po tregon karakter.  Dhe është ekip i cili po luan në fushë dhe jo tavolina, në këto kushte kam pritur më shumë mbështetje nga tifozët.

Por ata persona të cilët tentuan të hedhin baltë për Vllazninë, sidomos pas Kukësit, indirekt kanë tentuar të përfitojnë diçka nga Vllaznia por i kanë bërë një dëm të madh Vllaznisë. Pasi nuk kanë qenë të paktë personat që më kanë telefonuar deri pak para ndeshjes me fjalët ‘A kemi pse të vijmë në stadium?’. Imagjinojë se ku kanë shkuar thashethemet e paturpësia e atyre që i kanë nxjerrë këto fjalë.

Si e tillë besoj se ka qenë ky shkaku që të mos ishin në stadium pasi nuk kanë besuar që Vllaznia ndoshta mund të luajë futboll ashtu siç i takon një shkodrani të luajë futboll. Megjithatë, në përgjithësi mungojnë tifozëve, nuk e di, është pjesë e tyre. Unë kam dëshirën të jenë sa më të shumtë të jenë në stadium për të mbështetur ekipin e tyre”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"