Çudira nga Kategoria e Parë/ Tomori huazon kapitenin te skuadra rivale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2021 | 9:24

Çudira nga Kategoria e Parë/ Tomori huazon kapitenin te skuadra rivale

Te Tomori, huazimet janë kthyer në modë. Jo vetëm në hyrje (morën Markun nga Laçi, Oshafin nga Teuta dhe Isufin nga Vllaznia), por edhe në dalje. Erald Hyseni do t’i jepet borxh Besës, ekip që militon në të njëjtin grup me beratasit. Kapiteni pritej të shkonte në Kosovë, por kjo nuk ka ndodhur.

erald-hyseni

Lojtari nuk i ka marrë dot letrat, madje për gati dy javë ka qenë i përjashtuar nga skuadra. Ai është stërvitur i diferencuar, ndërsa zyrtarisht sot u bashkohet kavajasve. Kalvarin e asaj që ka ndodhur e ka treguar vetë 21-vjeçari në një bisedë për “Panorama Sport”.

“Në momentin që mora një ofertë nga Kosova, direkt njoftova klubin. Ishte e drejta ime të konsideroja një lëvizje të tillë, me një ofertë më të mirë financiare. Megjithatë, ndodhi ajo që nuk e prisja dhe as e kisha imagjinuar. Jo vetëm që nuk m’u dha leja e kalimit, por më trajtuan shumë keq. Më lanë jashtë skuadrës. Jam stërvitur i vetëm, në formë dënimi. Nuk munguan zërat që më cilësuan si përçarës të skuadrës.

hYSENI5

Unë si beratas dhe si kapiten nuk e meritoja këtë trajtim, pasi e kam treguar këtë edhe te Luftëtari ku kam qenë një lojtar shembullor sa i takon sjelljes dhe përkushtimit maksimal në fushë. Këtë e dëshmojnë shumë futbollistë dhe trajnerë të njohur. Për vlerat që kam, jam kontaktuar edhe nga skuadra të Superiores. Megjithatë, gjithçka kaloi. Unë tani jam një futbollist i Besës dhe nesër (sot) dal në seancën e parë stërvitore me Besën, me grupin e së cilës do të synojmë ngjitjen në Superiore.

Në Kavajë më kanë vlerësuar maksimalisht, aq sa edhe më kanë ofruar një kontratë afatgjatë prej 2 vjet e gjysmë. Por, këtë do ta vendosim së bashku në përfundim të kampionatit. Tomorit i uroj suksese, sepse e kam skuadrën e zemrës dhe njëkohësisht falënderoj të gjithë drejtuesit pa përjashtim për punën e zhvilluar së bashku në fazën e parë, por edhe që më mundësuan kalimin në Kavajë. Unë do të ruaj gjithnjë respekt për çunat e ekipit dhe stafin teknik, ashtu sikurse për tifozët e mrekullueshëm beratas”, përfundoi Hyseni.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"