Champions League, Partizani sfidon sot kampionen e Bosnje-Hercegovinës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2019 | 17:14

Champions League, Partizani sfidon sot kampionen e Bosnje-Hercegovinës

Për herë të parë skuadra e Partizanit në volejboll për femra do të zhvillojë një takim për Ligën e Kampioneve. Skuadra e kuqe, që drejtohet nga turku, Nejat Sançak, do të ketë përballë skuadrën nga Bosnjë-Hercegovina, ZOK Bimal-Jedinstvo BRCKO. Partizani do të bëjë debutimin historik, në shtëpi duke luajtur kundër kampionëve të Bosnjë -Hercegovinës, skuadër me shumë eksperiencë në arenën ndërkombëtare.

Partizani

Ndeshja do të luhet në sallën sportive “Feti Borova” në kryeqytet, në orën 18:00. Kjo do të jetë një ndeshje e vështirë për kampionet e Shqipërisë, të cilat kanë një qëllim në vetvete: Të shkruajnë historinë në volejbollin shqiptar. Skuadra e Partizanit vjen me disa përforcime këtë sezon.

Kështu, në dy muajt e fundit janë afruar: Romana Hudecova (Sllovaki), Yeliz Basa (Turqi), Kaylee Manns (SHBA) dhe Benitha Mukandayisenga (Ruanda). E gjithë merkatoja është bërë me synimin e përgatitjes së skuadrës, për këtë sfidë. Partizani para këtij takimi ka zhvilluar dhe dy ndeshje miqësore në Korçë, kundër Aris (Selanik)të Greqisë, duke regjistruar një humbje dhe një fitore. Gjithashtu ka marrë dhe një fitore 3-0 kundër Skënderbeut në javën e parë të kampionatit. Ndërkohë, para kësaj sfide të rëndësishme, në një prononcim për “RTSH Sport”, trajneri Sançak u shpreh:

“Shpresoj që të bëjmë një lojë të mirë, pse jo të kemi dhe një fitore. Rezultati 3-0, apo 3-1 është i vështirë për t’u parashikuar. Por besoj në rritjen e eksperiencës së skuadrës. Fansat janë lojtari ynë i tetë. E di që janë të zjarrtë në ndeshjet në shtëpi. Por jo vetëm fansat, por dhe mbështetësit e volejbollit duhet t’i kemi në krahë. Shpresojmë të kalojmë në raundin e dytë të Champions League dhe të ecim sa më shumë”.

A.Dushku – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"