Çfarë nuk u pa në TV nga derbi / Xhixha merr topin edhe pas 2 golave, tifozët përfundojnë në polici

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2021 | 22:37

Çfarë nuk u pa në TV nga derbi / Xhixha merr topin edhe pas 2 golave, tifozët përfundojnë në polici

Derbi i së shtunës në kampionat mes Tiranës dhe Dinamos, ndryshe nga ai i Kupës së Shqipërisë, ngjalli më shumë interes dhe kjo u reflektua në shkallët e stadiumit, ku ishin të pranishëm rreth 4 mijë tifozë. Atmosfera ishte gjatë gjithë kohës e ndezur, sidomos nga tifozëria bardheblu. Gazeta “Panorama Sport” sjell edhe disa nga momentet pikante të kësaj sfide:

tirana tifoze

-Sapo nisi ndeshja, grupimi i tifozëve të Tiranës “Capital Crew”, i vendosur veçmas tifozëve të tjerë, ndezi flakadanë në shkallët e stadiumit. E njëjta gjë ndodhi pak minuta më pas edhe me disa tifozë të Dinamos. Gazeta mëson se për këtë arsye janë shoqëruar në komisariat disa tifozë të Tiranës dhe të Dinamos, që më pas duket se janë liruar.

-Tifozët e Tiranës nuk e kanë ndalur këngën në asnjë moment, por ata ishin më të zjarrtë pas golave. Nuk kanë munguar në këtë ndeshje edhe “mesazhet” për Partizanin, edhe pse luhej ndaj Dinamos.

-Në fillimin e ndeshjes, tifozët blu shpalosën një flamur të madh të Dinamos dhe një banderolë dedikuar kreut të klubit, ku shkruhej: “Faleminderit president Bardhi”.

-Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, e nisi ndeshjen me xhaketë, por e përfundoi me një bluzë me mëngë të shkurtra. Në rastet e golave të shënuar në stolin bardheblu pati përqafime mes pjesëtarëve të stafit dhe lojtarëve.

-Në mesin e pjesës së parë, trajneri Bledi Shkëmbi u ndërroi krahët dy sulmuesve anësorë. Redon Mihana, i cili zakonisht luan në të majtë, u spostua në të djathtë, kurse Xhuljo Skuka shkoi në të majtë.

seferi

-Gjyqtari i ndeshjes, Kreshnik Cjapi, në dy momente pengoi pa dashje lojën, duke ndalur topin.

-Në një moment gjatë pjesës së dytë ka pasur edhe nervozizëm mes Mihanës dhe Hoxhallarit. Lojtari i Dinamos është rrëzuar në zonë dhe për gjyqtarin Cjapi ishte simulim. Kur ai po shkonte për ta ndëshkuar me të verdhë, Hoxhallari i është afruar Mihanës dhe u duk sikur e goditi me kokë dhe lojtari blu u rrëzua. E gjitha kjo situatë u mbyll me të verdhin e Mihanës.

-Pas ndeshjes, sulmuesi i Tiranës, Redon Xhixha, ka dalë nga dhomat e zhveshjes me një top në dorë, duke i ngatërruar të gjithë, pasi menduan se mos ai kishte shënuar 3 gola, aq sa duhen për të marrë topin në shtëpi. Por vetë Xhixha sqaroi se topin (e nxehmjes) ia kishte dhënë punëtori i fushës, që i kishte thënë se po të shënonte 3 gola, do t’i jepte atë të ndeshjes.

-Trajneri Shkëmbi është larguar i fundit nga “Air Albania”. Gazeta mëson se ai ka bërë edhe një mbledhje me të tijtë për atë paraqitje të dobët ndaj Tiranës. Futbollistët blu janë larguar thuajse të gjithë me kapuçë në kokë.

-I pranishëm në stadium ishte mbrojtësi i Kombëtares, Albi Doka.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

FOTO: F. Hazisllari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"