Çelsi fiton Ligën e Europës “in extremis”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2013 | 10:08

Çelsi fiton Ligën e Europës “in extremis”

CelsiÇelsi ia ka marrë dorën Europës. Pas Champions-it në sezonin e kaluar, dje në mbrëmje ngriti në qiell edhe trofeun e Ligës së Europës, i pari për ta në histori. Benfika nga ana e saj duket se po përjeton një mallkim, sepse teksa në fundjavë humbi luftën për titull në kampionat kundër Portos, në minutën e 91-të, dje i dorëzon Çelsit trofeun në të 93-n, ku një gol me kokë i Ivanoviçit i shtriu në tapet, duke vulosur shifrat përfundimtare në 2-1. Më shumë sesa diferenca teknike e dy skuadrave, fjala më konkrete për këto dy humbje brenda pak ditëve është mallkimi, ai mallkim i Bela Gutman, trajnerit hungarez, i cili ngjiti Benfikën në majë të Europës në 1962-shin dhe më pas u largua duke ulëritur: “Nuk do fitoni më asnjë trofe europian për 100 vjet”. Dhe ndërkohë kanë kaluar plot 51 të tillë, periudhë gjatë së cilës kanë humbur dy finale me Milanin, një me Interin, një me Mançester Junajtid dhe një me PSV Eindhovenin.
Vrull portugez – Benitezi, mjeshtri i finaleve, edhe pse me disa mungesa si Terri apo pamundësia për të shfrytëzuar potencën e Demba Ba, i beson Azpilikuetës dhe Torresit. Nga ana tjetër, Benfika i ka të gjithë në dispozicion dhe pjesa e parë është e gjitha nën vulën e luzitanëve. Gaitan shndërrohet në një makth për mbrojtjen angleze, duke qenë se është perfekt në çdo driblim. Mirëpo ku vjen puna te shënjestra në kuadrat, ajo lë shumë për të dëshiruar, ashtu sikurse edhe për Kardozon, që e shohin veten të ndalen pa vështirësi në disa tentativa me radhë nga portieri Çeh. Ndërkohë, londinezët rrezikojnë vetëm dy herë portën, me goditjet nga distanca të Oskarit dhe Lampardit, që gjithsesi nuk i ndryshojnë shifrat 0-0 në përfundim të pjesës së parë.
Flesh golash – Gabimet në futboll paguhen gjithmonë shtrenjtë. Me fillimin e pjesës së dytë Benfika, e cila kishte dominuar 45 minutat e para, e sheh veten në disavantazh në zbritjen e parë perfekte të Çelsit. Minuta e 60-të; Çeh lëshon një top me duar që kapërcen mesfushën dhe ndalet në këmbët e Torresit, spanjolli ndërmerr një inkursion personal, duke djegur me klas dhe forcë ndërhyrjet e Luizaos e Garait dhe në fund fiton edhe duelin me portierin Artur, duke e dribluar dhe duke depozituar sferën në rrjetë. 1-0 dhe për Benfikën duket gjithçka e mbyllur. Por ja që brenda 8 minutash, fati dhe një gabim trashanik i Azpilikuetës, që prek topin me dorë në zonë, rikthen gjithçka në baraspeshë, duke qenë se Kardozo është i akullt dhe i saktë nga pika e penalltisë.
Traversë dhe… gol – Por Çelsi e di që mund ta fitojë këtë takim. Torres ndërkaq, i cili është në një mbrëmje magjike, mes goditjeve dhe driblimeve sheh t’i mohohet një penallti në të 75-n, pasi Luizao “e lidh” dhe nuk e lejon të godasë drejt rrjetës. Anglezët janë të uritur dhe Lampard feston përpara kohe, kur një predhë e tij nga distanca, vetëm dy minuta përpara fundit të takimit, stampohet në traversë. Pas kësaj goditjeje gjithçka duket e mbyllur, shtesa ose penalltitë do vendosin fituesin, por në një goditje këndi pa shumë pretendime në minutën e tretë shtesë, Ivanoviç gjendet i lirë në zonë dhe me kokë mposht portierin Artur. Fund dramatik, 2-1 për Çelsin dhe Benfika nëse nuk do fillonte të qante përpara kohe mund të barazonte në mënyrë edhe më tragjike, por Kardozo mes një morie këmbësh e duarsh nuk e dërgon dot topin në rrjetë dhe “Amsterdam Arena” vishet blu për një natë të vetme.

“Nuk ishim në formë, por ia dolëm”
Rafa Benitez do largohet me trofe nga Çelsi dhe falënderon lojtarët për këtë triumf. “Në pjesën e parë nuk luajtëm mirë, pasi kishim probleme me formën fizike. Gjithsesi, në pjesën e dytë u treguam të shkëlqyer, pasi ditëm të luajmë me zgjuarsi në fushë. Jam krenar për këta djem. Kemi realizuar një sezon të suksesshëm, edhe pse nuk e kemi pasur aspak të lehtë. I falënderoj të gjithë për punën e madhe që kemi bërë së bashku”, – deklaroi trajneri spanjoll, të cilit i përfundon kontrata muajin e ardhshëm dhe me shumë mundësi do zëvendësohet nga portugezi Zhoze Murinjo.

“E merituam ne që ta fitonim finalen”
“Është shumë e vështirë për t’u pranuar. Në finale ishin dy skuadra mjaft të forta, por ne dominuam në fushë. Treguam personalitet, krijuam raste për shënim, por ndonjëherë futbolli nuk të jep shkaqe logjike. Merituam të ngrinim trofeun, por në fund e mori Çelsi, me një gol në kohën shtesë. Uroj kundërshtarin dhe mbi të gjitha falënderoj futbollistët dhe tifozët e skuadrës, që u treguan të shkëlqyer. Bënë gjithçka për të pasur një fund të lumtur, por fatkeqësisht nuk ndodhi. Edhe pse e merituam plotësisht fitoren, jemi me të drejtë fituesit moralë të këtij kompeticioni”, – deklaroi , Horge Hesus.

LIBRI I ARTË
2013 ÇELSI
2012 Atl.Madrid
2011 Porto
2010 Atl.Madrid
2009 Shahtjor Donetsk
2008 Zenit St.Petersburg
2007 Sevilja
2006 Sevilja
2005 CSKA Moskë
2004 Valencia
2003 Porto
2002 Fejenord
2001 Liverpul
2000 Gallatasaraj
1999 Parma
1998 Inter
1997 Shalke
1996 Bajern Mynih
1995 Parma
1994 Inter
1993 Juventus
1992 Ajaks
1991 Inter
1990 Juventus
1989 Napoli
1988 Leverkusen
1987 IFK Goteborg
1986 Real Madrid
1985 Real Madrid
1984 Totenhem
1983 Anderleht
1982 IFK Goteborg
1981 Ipsuiç
1980 E.Frankfurt
1979 Mynshengladbah
1978 PSV Eindhoven
1977 Juventus
1976 Liverpul
1975 Mynshengladbah
1974 Fejenord
1973 Liverpul
1972 Totenhem
1971 Lids Junajtid
1970 Arsenal
1969 Njukasëll
1968 Lids Junajtid
1967 Dinamo Zagreb
1966 Barcelona
1965 Ferencvarosh
1964 Saragoza
1963 Valencia
1962 Valencia
1961 Roma
1960 Barcelona
1958 Barcelona

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"