Capa këshillon “demat”: Lojtarët duhet të luajnë për fanellën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2018 | 13:23

Capa këshillon “demat”: Lojtarët duhet të luajnë për fanellën

Ish-lojtari i Partizanit, Arbër Capa, i cili ishte protagonist në përmbysjen e parë, tregon emocionet e atij takimi, por edhe rrugën se si të kuqtë mund ta përsërisin sërish atë sukses ndaj Flamurtarit. Capa është tërhequr nga futbolli, pasi tani jeton në Amerikë. Për “Panorama Sport”, ai tregon ngjarjet e përmbysjes së Kupës në 2009- ën, që zgjatën tri ndeshje.

Capa

 

“Turi çerekfinal i Kupës në 2009-ën do të mbetet gjithnjë në memorien time. Partizani u mund 1-0 në Vlorë në takimin e parë, por ne ia dolëm që të përmbysim në ndeshjen e dytë, ku unë shënova golin që e çoi sfidën në shtesë. Ka qenë një nga ndeshjet më emocionuese për mua dhe ekipin, pasi arritëm të kualifikoheshim nga gjuajtjet e 11-metërshave.

Në kuadrin e dy ndeshjeve ia arritëm qëllimit, pasi u kualifikuam, por Disiplina shpiku një ndeshje shtesë, ndonëse të dyja ekipet patën probleme. Në duelin e tretë kaloi Flamurtarin. Më vjen keq që na u mohua ai sukses. Bëhej fjalë për një ekip që luante vetëm për fanellën dhe tifozët, pasi gjatë gjithë sezonit nuk u paguam.

partizani

Siç e mbajnë mend të gjithë, ne asokohe ishim ekip për mbijetesë, pa financa, me elementë të rinj, por nuk na mungonin edhe lojtarë me eksperiencë, si Shehi, Pinari, Babamusta, Tafaj, që na mbështesnin ne të rinjve. Një shtysë e madhe asokohe ka qenë edhe trajneri Shpëtim Duro, që sot është trajneri i Flamurtarit.

Sa i përket përballjes së tanishme, mendoj se skuadrat ndodhen në të njëjtat pozita, duke u bazuar te takimi i parë. Ndonëse jam larg, në Amerikë, mundohem t’i ndjek ndeshjet e Partizanit dhe kampionatit shqiptar. Flamurtari, me në krye ish-trajnerin tonë Duro, ka bërë mirë, pasi ka qenë vetë ai që e ka ndërtuar skuadrën.

Duke njohur dy trajnerët e skuadrave, nuk parashikoj spektakël, por një ndeshje taktike dhe shpresoj që Partizani të kualifikohet në fund. Nisur nga ajo përmbysje që i bëmë ne në 2009-ën, them se Partizani duhet ta marrë takimin e sotëm si një përballje të radhës, pa presion.

Nëse lojtarët luajnë për fanellën e kuqe që mbajnë veshur dhe tifozët e mrekullueshëm, Partizani do të kualifikohet, aq më shumë që Kupa mbetet një objektiv për të shkuar në Europë”, u shpreh Capa për “Panorama Sport”.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"