Bundesliga mban frymën, Flik në gijotinë para duelit me Gladbahun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2019 | 22:33

Bundesliga mban frymën, Flik në gijotinë para duelit me Gladbahun

Të shtunën në drekë, Bajerni do të udhë tojë në Gladbah për t’u ndeshur me kryesuesit e kampionatit gjerman. Pas humbjes në shtëpi ndaj Leverkusenit një javë më parë, sfida mund të ketë një rëndësi të madhe për trajnerin Hansi Flik. Një humbje tjetër do të ishte e vështirë për t’u kapërdirë. 

Flik3

Është supersfida e javës së 14-të dhe mund të quhet pa frikë një nga klasiket e kampionatit gjerman. Gladbah-Bajern ka qenë një nga duelet më me domethënie, sidomos në vitet ’70. Edhe pse me kalimin e viteve skuadrat janë ndarë shumë nga njëra-tjetra në aspektin e trofeve, këtë javë ato janë më afër se kurrë.

Vendësit ndodhen në vendin e parë me katër pikë më shumë se bavarezët, që mbajnë vendin e katërt. Një tregues i qartë për spektaklin që pritet të luhet të shtunën në “Borussia Park”. Për trajnerin e përkohshëm të Bajernit, Hansi Flik, kjo ndeshje do të vendoste shumë për të ardhmen ne tij.

RENDITJA – Kishte vite që në Bundesligë nuk ishte bërë një garë e tillë në javën e 14-të. Vendin e parë dhe të gjashtë e ndajnë vetëm 6 pikë. Gladbah mban vendin e parë me 28 pikë, ndërsa Bajerni me 24 pikë në vendin e katërt. Lajpcigu i vendit të dytë ka grumbulluar vetëm 1 pikë më pak se kryesuesit. Dortmundi mban vendin e pestë me 23 pikë. Bavarezët duhet ta kenë të qartë që me një fitore të shtunën do të merrnin një trepikësh të rëndësishëm në luftën për titull.

Flik

Në rast të një humbjeje, skuadra mund të notojë sërish në ujëra të turbullta. 7 pikë më pak se vendi i parë do t’i komplikonte shumë pozitat e kampionëve në fuqi, duke marrë në konsideratë faktin se skuadra vjen nga një humbje në javën e kaluar në shtëpi ndaj “Aspirinave”, në “Allianz Arena”.

Flik dhe lojtarët e dinë se skuadra e Gladbahut nuk është rastësisht në krye të kampionatit. Skuadra e Marko Roze ka humbur vetëm një ndeshje, atë përballë Union Berlinit. Në Europa Ligë ata kryesojnë gjithashtu grupin, duke qenë një hap larg kualifikimit.

Ndërsa në Kupën e Gjermanisë ata u eliminuan nga Dortmundi në shtëpi. Të gjithë sytë do të jenë të përqendruar në Gladbah, aty ku kampionët do të masin forcën reale të tyre. Humbja me Leverkusen nuk pritet të kalojë pa pasoja, edhe pse skuadra bëri një ndeshje të mirë, duke u ndalur nga dy shtylla dhe shpërdoruar shumë raste për shënim. Të shtunën do të mësojmë shumë gjëra si për Gladbahun, ashtu dhe për Bajernin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"