Bruka ul euforinë te Besëlidhja: Nëse mobilizohemi, i kemi të gjitha mundësitë për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2022 | 11:44

Bruka ul euforinë te Besëlidhja: Nëse mobilizohemi, i kemi të gjitha mundësitë për…

Besëlidhja është grumbulluar të hënën për të nisur javën stërvitore anti-Pogradec, që do të zhvillohet në fundjavë në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”.

alban bruka

Si gjithnjë, edhe këtë të hënë, para se të niste stërvitja, skuadra iu nënshtrua analizës së zakonshme, që këtë fillimjavë u zhvillua në një atmosferë optimiste, pasi lezhjanët vinin nga një ndeshje e fituar me shifrat 3-1 ndaj Turbinës.

Edhe këtë të hënë, trajneri Alban Bruka ishte protagonisti i analizës, duke skanuar ndeshjen ndaj Turbinës. Ndër të tjera, në fjalën para ekipit trajneri i lezhjanëve theksoi:

“Fituam në ndeshjen e fundit ndaj cërrikasve, por kjo nuk do të thotë se nuk ka vend për kritika. Në përgjithësi ju i kryet detyrat, por pati edhe pati disa gabime, të cilat na dërguan në dhomat e zhveshjes për pushimin e ndeshjes me barazimin 1-1.

Çdo pikë e formacionit ka rëndësinë e vet, ndaj duhet vlerësuar. Nëse gabon një pikë, shkëputet zinxhiri duke na rrezikuar. Me gjithë rezervat e mia për sa ju thashë më lart, fitorja ndaj Turbinës na nxori nga zona e rrezikshme. Por, kjo nuk do të thotë që shpëtuam, pasi ashtu siç ngjitëm disa shkallë njëherësh, ashtu edhe me një humbje ndoshta rikthehemi te rreziku. Ndaj, duhet që të gjitha sfidat t’i vlerësojmë maksimalisht, pavarësisht emrit apo pozicionit në tabelë.

Pjesa e dytë e ndeshjes ishte edhe më e mirë pasi shënuat dy herë radhazi dhe i gjithë takimi u mbyll me shifrat e kënaqshme 3-1, duke u ngjitur lart në renditje.

Tani duhet që të mendojmë seriozisht për sfidën e radhës në transfertë ndaj Pogradecit. Nëse ne do të mobilizohemi maksimalisht dhe do të japim më të mirën e mundshme në fushën e lojës, i kemi mundësitë për të marrë pikë dhe, pse jo, fitoren ndaj Pogradecit”.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"