Britaniku dhe ukrainasi, sfidë në Arabinë Saudite/ Furi-Usik, superdueli i boksit më 17 shkurt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2023 | 21:18

Britaniku dhe ukrainasi, sfidë në Arabinë Saudite/ Furi-Usik, superdueli i boksit më 17 shkurt

E gjithë bota e boksit po pret me padurim përballjen për unifikimin e titujve botërorë në peshat e rënda, ndërmjet Tajson Furit dhe Olekssandër Usik. Tashmë ka edhe një datë për këtë superduel, teksa sipas “BoxingScene”, britaniku dhe ukrainasi do të ndeshen më 17 shkurt në Arabinë Saudite.

FURI

Fillimisht ishte raportuar se Furi, kampion bote në versionin WBC, do të përballej me Usikun, kampionin e versioneve WBA, WBO, IBF dhe IBO, më datë 23 dhjetor. Por, pasi Furi tregoi një paraqitje aspak të mirë kundër yllit të MMA-t, Francis Nganou më 28 tetor, duke fituar me shumë mund me pikë në një ndeshje me polemika, është vendosur që përballja me ukrainasin të shtyhet.

Kamerunasi Nganu, siç dihet e rrëzoi Furin një herë në tapet në atë përballje. Njëri nga anëtarët e jurisë dha fitoren Nganus, ndërsa dy të tjerë vendosën në favor të Furit. Kështu gjiganti britanik, tashmë do të ketë më tepër kohë për të përgatitur duelin me rivalin ukrainas.

“BoxingScene” raporton gjithashtu se, data 17 shkurt e përballjes Furi-Usik do të zyrtarizohet këtë të enjte më anë të një konference për mediat. Te dy boksierët janë të pamposhtur, me Furin që regjistron 34 fitore dhe 1 barazim, ndërsa Usik 21 fitore.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"