Brdariç: Sot kemi marrë vendimet e duhura. Askush nuk e di çfarë ndodh pas kuintave këtu, klubi duhet të përmirësohet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2021 | 22:10

Brdariç: Sot kemi marrë vendimet e duhura. Askush nuk e di çfarë ndodh pas kuintave këtu, klubi duhet të përmirësohet

Thomas Brdariç e ka vlerësuar fitoren e sotme si të rëndësishme jo vetëm për pikët, por edhe për faktin se Vllaznia e tij po tregonte se po kthehej në një ekip të konsoliduar. Pas sfidës, duke folur për “SuperSport’, ai theksoi se skuadra kishte bërë mirë detyrat dhe ishin marrë vendimet e duhura në momentin e duhur, për të siguruar këtë fitore të rëndësishme.

brdaric 1

“Mendoj se është një ditë e mirë për Vllazninë, pasi skuadra tregoi një paraqitje të mirë, sidomos në pjesën e parë, si luajtëm. Ishte e vështirë në këto kushte të luaje, por si reaguam në pjesën e dytë menjëherë, me ndryshimin që hodhëm Da Silvën, i cili shënoi menjëherë. Mendoj se sot kemi marrë vendimet e duhura.

Mustedanagiç punoi shumë në pjesën e parë kur nuk kishim topin, por nuk është mësuar të luajë ashtu. Ne jemi një ekip që bëjmë shumë presing, ai harxhoi pak energji për duele dhe sulmin. Na dha sinjalin në pushimin e ndeshjes pas dy minutash se duhej ta ndryshonim, ne e bëmë dhe ishim me fat me këtë zëvendësim.

Ne duhej të bënim shumë lëvizje që të hapnim hapësira. Nuk është mënyra jonë që të luajmë topin e gjatë se duam të luajmë futboll, mendoj se kjo është mënyra se si duhet të luajmë.

Paraqitja e Da Silva? Mendoj se të gjithë duhet të përmirësohen sa i përket idesë së lojës. Ndeshja nuk është njëlloj gjithmonë, çdo skuadër është e vështirë, se si përballemi me ta është punë e vështirë. Duhet të jemi të kujdesshëm në të dy fazat. Ne e dimë se Da Silva është shumë i rëndësishëm për ne. Por ai duhet të qëndrojë i shëndetshëm se kur është i tillë, është një plus i madh për ekipin tonë.

Vllaznia për titull? Në futboll dhe në këtë kampionat është shumë e shpejtë gjithçka. Kur fiton, shkon për titull, kur humb shkon për mbijetesë. Ky është sezon i vështirë me të gjitha skuadrat që mund të mposhtin njëra-tjetrën, duhet të fokusohemi te vetja se si luajmë. E rëndësishme për ne është të fitojmë ndeshjet ndaj kundërshtarëve tanë. Duhet të jemi të durueshëm se është një rrugë e gjatë.

Po punojmë në kushte të vështira këtu në Shkodër, askush nuk e di se çfarë ndodh pas kuintave. Kemi një stadium shumë të bukur, por duhet të përmirësohemi në çdo drejtim. Është padyshim e rëndësishme të festojmë përballë një skuadre si Laçi që është një ekip i madh dhe një kundërshtar i vështirë.

Festa pas ndeshjes tregon se kemi karaktere të mira dhe duket edhe në fushë. E rëndësishme është që punojmë, kemi një objektiv dhe është i përbashkët. Jemi një ekip, më parë nuk dukej kështu, por mendoj se tani jemi përmirësuar dhe duket shumë më mirë”, tha Brdariç.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"