Brazili mbijeton pas lotarisë së penalltive

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2014 | 10:30

Brazili mbijeton pas lotarisë së penalltive

Brazil 1Ndonjëherë bota është vërtet e ashpër. Një traversë në perëndim të shtesës së dytë i mohoi Kilit që të shkaktonte një tjetër tërmet në historinë e futbollit brazilian, ndërsa një tjetër shtyllë i eliminoi ata në penalltinë e pestë. Këtë herë nuk ka asnjë “vjedhje”, jo si ndaj Kroacisë, përkundrazi, “seleçao” diti t’i rezistojë një sfidë epike, duke duruar mbi shpatulla edhe peshën e rëndë që mund të ndiente “banda” e Skolarit përpara 180 e më shumë milionë brazilianëve, që nuk donin ta humbnin kaq shpejt interesin ndaj këtij Botërori. Por edhe ky Kil i fashuar (Sançez me lodhje muskulore, Vidali me një gju më pak dhe Medel i tërhequr) mbase meritonte diçka më shumë. Formacioni i Sampaolit u rezistoi vendësve, por thjesht flirtoi me fitoren. Fati i keq është se Kili nuk ka në grup një Nejmar, ai që dërgoi në rrjetë një top, që për nga rëndësia peshonte disa tonelata, ndërsa Jara pas tij u përplas me shtyllën dhe dëshpërimin e një kombi të tërë, pas 120 minutash fantastike të mbyllura në shifrat 1-1.

BRAZIL-KILI  1-1
GOLAT: Luiz 18′ / Sançez 32′
BRAZILI (4-2-3-1) Hulio Sezar; Dani Alvesh, Tiago Silva, David Luiz, Marselo; Fernandinjo (72′ Ramirez), Luiz Gustavo; Oskar (105′ Uillian), Nejmar, Hulk; Fred (64′ Zho). Trajner: Luis Felipe Skolari
KILI (3-4-1-2) Bravo; Isla, Silva, Medel (108′ Rohas), Jara, Mena; Aranguiz, Vidal (87′ Pinija), Diaz; Sançez, Vargas (56′ Gutierrez). Trajneri: Horge Sampaoli
KARTONËT TË VERDHË: Hulk 55′, Gustavo 60′, Zho 93′, Alvesh 105′ / Mena 17′, Silva 40′, Pinija 102′
GJYQTAR: Hauard Ueb (Angli)

Lojë pa frena – Një spektakël i denjë për një roman. Dje nuk ishte një sfidë me nivel të lartë teknik, por e bukur dhe e çmendur ishte, një sfidë me gjithçka që nevojitet për të mbajtur në këmbë për 120 minuta e më shumë çdo tifoz të pranishëm në stadium. Skolari ngriti në këmbë David Luizin, i pushtuar nga dhimbjet në shpinë. Nga ana tjetër, Sampaoli ofroi të njëjtin formacion ofensiv që “i futi” shkelmin Spanjës, atë 3-4-1-2 me Vidalin organizator, që së bashku me trajnerin e tij kishin predikuar kurajë. Frika e kilianëve kundrejt ngjyrave të “seleçaos” (në 3 përplasje në Botërorë e kanë eliminuar 3 herë) ndihet që në çastet e para të takimit. Këmbë që dridheshin dhe një mendje e turbulluar bëri që Kili t’i linte hapësirë manovrës sulmuese të vendasve. Nejmar me shokë e kuptojnë frikën dhe me kokën poshtë lëshohen me forca të shumta në sulm, duke marrë në kontroll lojën. Pikërisht si rrjedhojë e kësaj frike që kishte pushtuar të kuqtë, lind edhe avantazhi i verdhegjelbërve. Nejmar lëshon një krosim të fortë në zonë, të cilin Jara e devijon gabimisht me këmbë drejt portës së tij, i shtyrë edhe nga presioni i David Luizit, ndonëse prekja e fundit (më shumë me fanellë sesa me trup) është pikërisht e mbrojtësit brazilian, që merr autorësinë e golit. Disavantazhi i shpejtë (minuta e 18-të) mbyt të gjithë frikën e Kilit e papritur loja bëhet e bukur dhe pa frena. Rastet për Brazilin vërshojnë si shirat që kishin përmbytur së fundmi qytetet e vendit, por edhe gabimet gjithashtu. Më flagrantin e bën Hulku, që kapet në befasi nga Vargas, i cili nuk vonon, por pason në zonë për Sançezin, që me diagonalen e tij mposht një Hulio Sezar pak reaktiv.
Sulm pa ide –
Në pjesën e dytë, Brazili hidhet i gjithi në sulm, me një shpejtësi të madhe madje, por pikërisht kjo shpejtësi bëri që ata të gabonin shumë raste. Avantazhi për të zotët e shtëpisë mbërrin në të 54-tën, por sulmuesi i “seleçaos” ndihmohet nga dora që ul sferën, përpara se të godiste në rrjetë. Për “policin” Ueb askush nuk mund të shkelë ligjin, ndaj rezultati mbetet i gurosur në shifrat 1-1. Skolari nervozohet më kot dhe provon “kartën” Zho në vend të Fredit, por rastin për gol e kanë Nejmar e Hulk pa gjakftohtësinë dhe saktësinë e duhur. Gjithsesi, edhe Kili nuk qëndron pa ofruar drithërima, por Hulio Sezar bën pritjen më të bukur të Botërorit, ndaj Aranguizit dhe takimi shkon në shtesë. Shtesa dhe penalltitë – Të 30 minutat e kohës shtesë luhen më kot, sepse ato dominohen nga frika dhe lodhja, me emocionin e vetëm që vjen në minutën e 120-të, kur Pinija thyen traversën e Hulio Sezarit me një predhë nga 25 metra, por fatmirësisht për brazilianët Botërori i tyre vazhdon. Nga lotaria e penalltive “seleçao” falënderon Hulio Sezarin që ndalon goditjet e Sançezit dhe Pinijas, por mbi të gjitha “duartroket” Jaran, që me gabimin e tij në goditjen e pestë e dërgon topin në shtyllë, duke vulosur shifrat 3-2 të 11-metërshave. I gjithë Brazili është në festë, ndërsa Kili ofroi sivjet një kapitull të bukur të këtij Botërori, edhe pse si humbës.

Ueb është thjesht perfekt, por jo për… modelen Bundçen
Hauard Ueb ka qenë thjesht perfekt me arbitrin e tij. “Polici” anglez ka marrë nga të gjithë ish-kolegët e tij europianë, tashmë analistë, notën 9, pasi realisht nuk ka gabuar asgjë në sfidën e djeshme. Episodi më delikat ka qenë ai i minutës së 54-t, kur Hulk shënoi, por Ueb me ndihmën e asistentit të tij, Mjullerkej, anulojnë me të drejtë golin që do t’i jepte Brazilit avantazhin 2-1. Pavarësisht protestave të ashpra të vendasve, Ueb mori një ofendim edhe nga modelja braziliano-gjermane, Zhizel Bundçen, në “twitter”: “Arbitër idiot”. Gjithsesi, as ajo dhe as Skolari me të tijtë nuk e shqetësuan takimin e anglezit, që u tregua i ftohtë edhe në pjesën e parë. Brenda pak sekondave, ai pa qartë dy rrëzime në zonë, një të Hulkut dhe një të Vargasit, por pavarësisht protestave vendimet për të mos akorduar penallti për secilën palë konfirmohen si të sakta edhe nga moviola.

Alarm fals për bombë, hakeri s’e gënjeu policinë
Ndeshja e djeshme mes Brazilit dhe Kilit mund të rrezikonte të shtyhej, nëse nuk do të kishte qenë për punën e mirë të policisë dhe inteligjencës së tyre. Një pirat informatik kishte mundur të hynte në rrjetin zyrtar të Policisë Federale braziliane, duke lëshuar alarmin fals për një bombë, duke “urdhëruar” gjithashtu evakuimin e afro 60 mijë tifozëve nga impianti “Mineirao”, i qytetit të Belo Horizontes. Gjithsesi, hakeri ka marrë kundërpërgjigjen e homologut të tij me uniformën e policisë, të cilët menjëherë kanë shpërndarë lajmin në media dhe në çdo rrjet të mundshëm, duke qetësuar tifozët se bëhej fjalë për një alarm fals.

Snajperi mund të vriste truprojën e presidentes
Një tragjedi është shmangur në stadiumin “Itaquerao” të San Paolos, në sfidën e hapjes së këtij Botërori. Lajmi i konfirmuar edhe nga Ministria e Sporteve flet për një moskoordnim mes forcave ushtarake që kishin marrë në mbrojtje impiantin. Një snajper që kishte si detyrë survejimin e tribunës ku akomodohej presidentja e vendit, Dilma Rusef, pat vëzhguar një burrë të armatosur dhe me antiplumb pranë kreut të shtetit, dhe eliminimi i tij u shmang për një fragment sekonde. Ndonëse snajperi kërkonte informacione në radio, prania e një ushtari pranë tribunës së Rusefit nuk ishte komunikuar dhe pikërisht teksa ai po bëhej gati për të eliminuar kolegun e tij, urdhri erdhi, duke sqaruar se bëhej fjalë për një sinjalizim të vonuar, i cili shmangu vrasjen.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"