Bomberi perfeksionist që vrapon si… Bolt, Haland përshkroi 60 metra për 6.64 sekonda ndaj PSG-së

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2020 | 23:29

Bomberi perfeksionist që vrapon si… Bolt, Haland përshkroi 60 metra për 6.64 sekonda ndaj PSG-së

E gjithë bota e futbollit po flet për Erling Halandin, sepse djaloshi i ri norvegjez nuk bën gjë tjetër veçse vazhdon t’i mrekullojë të gjithë me rekordet e tij të golave dhe jo vetëm. “Sky Sports Tech” ka analizuar një sprint të tij në ndeshjen e Champions-it kundër PSG-së dhe kujdes: 19-vjeçari i përshkon 60 metrat me kohën 6.64 sekonda. 

Erling-Haaland-Bolt

Për të kuptuar se çfarë ka bërë po e krahasojmë me rekordin botëror, i cili është 6.34 sekonda, ndërsa ai norvegjez 6.55. Nëse do të kishte vrapuar në Botërorin e Sallave të Mbyllura në 2018-ën, ylli i Dortmundit do të kishte regjistruar kohën më të mirë në baterinë e tij dhe në finale do të mbërrinte në vend të 8-të. Janë shifra të çmendura për fizikun e tij: 194 cm, 87 kg. Dhe siç Fabio Kapelo komentonte nga studiot e “Sky Sports”, një shpejtësi të tillë ai e arriti me taka në bar dhe jo në pistë me atlete me gjemba.  Një fenomen i vërtetë që shtat ka hedhur shumë vonë në adoleshencën e tij.

 Terminatori – Pastaj shifrat e tij të golave janë edhe më monstruoze. Prej qershorit 2019 deri në janar 2020, me fanellën e Salcburgut, bomberi firmosi 16 gola në 14 ndeshje në kampionat, 4 gola në dy prezenca në Kupë dhe 8 në 6 ndeshje të Champions-it. Shifra që u shtohen edhe golat e shënuar prej janarit me fanellën e Dortmundit (8 në 5 ndeshje në Bundesligë, 1 në 1 ndeshje në Kupë dhe 2 në 1 ndeshje në Champions).

thumbnail

Në total, 39 gola. Në debutimin e tij në Champions në “Signal Iduna Park”, talenti norvegjez vendosi edhe një tjetër rekord: ai u bë futbollisti që shënon më shpejt 10 gola në Champions (vetëm 7 ndeshje), duke e thyer rekordin me 4 ndeshje më pak. Haland u bë gjithashtu lojtari i pestë që feston 10 golat në sezonin e debutimit në Champions, duke iu bashkuar kampionëve si Roberto Firmino, Sadio Mane, Klaudio Sulser dhe Zhyst Fonten.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"