Boksierja e parë shqiptare, apel për 6 mijë euro: Dua të jem në Botëror!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2017 | 19:24

Boksierja e parë shqiptare, apel për 6 mijë euro: Dua të jem në Botëror!

Elsidita Selaj është boks ierja e parë shqiptare femër që ka marrë pjesë në një turne ndërkombëtar të zhvilluar në Sofje të Bullgarisë. Selaj arriti që, në përfundim të këtij turneu, të renditet në vendin e tretë duke marrë medaljen e bronztë dhe ngritur lart flamurin shqiptar në këtë event mjaft të rëndësishëm për këtë lloj sporti. Pas suksesit të arritur, ajo tregon se ka dhe një ëndërr të madhe.

Selaj

Dëshira e saj është që të bëhet kampione e botës ose të marrë medalje në kampionatin botëror që do zhvillohet më 17 nëntor në Indi. Për të shkuar deri atje, asaj i nevojiten rreth 6 mijë euro dhe boksierja shkodrane bashkë me trajnerin e saj Jetmir Kuçi ende nuk i kanë. Boksierja 17-vjeçare premton shumë për të ardhmen dhe bën apel për ndihmë për t’i mundësuar shumën prej 6 mijë euro dhe bërë realitet ëndrrën e saj.

BOKSIERJA – Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, ajo shprehet: “Kam dëshirë që të marr pjesë në kampionatin botëror, por ajo që më kushtëzon është vetëm ana financiare, e pamundur ekonomikisht. Unë kam shumë vullnet e dëshirë dhe për këtë po stërvitem për çdo ditë maksimalisht, por ajo që më pengon për të marrë pjesë është mungesa financiare, një shumë e pamundur nga ana ekonomike.

Selaj

Nuk i kemi aq para sa nevojiten, ndaj edhe kjo mund të bëjë që të mos shkoj atje. Nuk e di se çfarë ndodh deri atëherë, por unë e kam për detyrë që të stërvitem fort. Unë kam një ëndërr të madhe, që të shpallem kampione e botës ose të futem në zonën e medaljeve. Kam shumë besim se mund t’ia arrij sepse po bëj çdo përpjekje të mundshme.

Për këtë, unë kam një apel për të gjithë ata që kanë mundësi financiare, për të sponsorizuar e ndihmuar që unë të shkoj të marr pjesë në kampionatin botëror, që do të zhvillohet në Indi dhe të realizoj ëndrrën time të madhe. E di që është e vështirë, por do të tentoj që në Shqipëri të mos kthehem pa medalje. Kjo besoj do ishte një krenari e madhe për të gjithë ne njerëzit e sportit e për të gjithë shqiptarët”, shprehet boksierja e parë shqiptare, 17- vjeçarja Elsidita Selaj.

TRAJNERI – Trajneri i Elsiditës, ish-boksieri i njohur edhe në boksin profesionist, Jetmir Kuçi, shprehet se shkodrania i ka të gjitha premisat për ta arritur këtë sukses në këtë kampionat botëror, por asaj i nevojiten një shumë parash, rreth 6 mijë euro, një financë e parealizueshme nga ana jonë.

Jetmir Kuci

Trajneri po ashtu bën apel që ta ndihmojmë Elsiditën për t’i plotësuar këtë dëshirë sepse shanset për një medalje në Botërorin e Indisë janë mjaft të mëdha për boksieren shqiptare, e cila do të ngrejë lart dinjitetin tonë kombëtar. Duke u shprehur për “Panorama Sport”, ai tha: “Unë kam thuajse 2 vite që e stërvit Elsiditën. Është një vajzë e re, vetëm 17 vjeçe, por që ka vullnet dhe dëshirë. Boksin e ka pasion ndaj stërvitet fort për të arritur atë që kërkon.

Kam besim në aftësitë e saj dhe duhet medoemos që ajo të marrë pjesë në kampionatin botëror me 17 nëntor në Indi. Janë vetëm 6 mijë euro që nevojiten sepse biletat e avionëve kushtojnë e po ashtu edhe qëndrimi atje ka kosto. Elsidita ka marrë vlerësime edhe nga specialistë të huaj që e kanë parë, ndaj jam me besim të plotë se nëse do të marrë pjesë, ajo mund të futet në zonën e medaljeve.

U bëj thirrje të gjithë institucioneve, por edhe biznesmenëve apo sponsorëve të ndryshëm që ta ndihmojnë Elsiditën dhe të bëjnë të mundur që ëndrra e saj e madhe të realizohet dhe të marrë pjesë në këtë kampionat botëror të boksit për femrat. Nuk duhet që kjo vajzë të penalizohet vetëm për anën ekonomike, sepse është e talentuar dhe ka shumë mundësi për të ecur në arenën botërore”.

TURNEU NË BULLGARI – Menjëherë pas suksesit që arriti në turneun ndërkombëtar të Sofjes në Bullgari, duke përfaqësuar Shqipërinë, Elsidita Selaj tregon dhe emocionet që përjetoi në këtë eveniment të veçantë, pasi është dhe boksierja e parë shqiptare që merr pjesë, duke fituar medaljen e bronzit dhe u rendit e treta.

“E kam pritur me shumë entuziazëm pjesëmarrjen time në Sofje të Bullgarisë. Ishin gjithsej 21 shtete me një pjesëmarrje prej 140 boksiereve. Unë fitova ndeshjen me një vajzë që renditej e treta në Europë, por më pas humba takimin gjysmëfinal ndaj një boksiereje nga India.

Selaj

Për mua kjo pjesëmarrje ishte një eksperiencë fantastike dhe shpresoj që të pasohet me të tjera rezultate e medalje, sepse kam shumë dëshirë që ta vazhdoj”. Selaj ka pas vetes trajnerin Jetmir Kuçi, i cili e ka përgatitur për të ardhur deri në këtë ditë. Ai jep opinionin e tij, ku shprehet: “Elsidita ka bërë një punë të madhe për të ardhur deri këtu.

Ajo sapo i ka mbushur 17 vjeç dhe është një boksiere që ka një të ardhme. Më e rëndë- sishmja është që kjo vajzë bëhet e para boksiere femër, e cila di mjaft mirë të boksohet edhe me disa meshkuj këtu në Shkodër, madje ka dalë shpeshherë edhe fitimtare. Është e fuqishme dhe e saktë, gjë e cila mungon te femrat.

Në Sofje, ajo ra në sy për mënyrën si boksonte dhe mori lavdërime nga organizatorët. Shpresoj që ëndrra e saj të mos pritet në mes”. Vajza 17-vjeçare shkodrane Elsidita Selaj, përveçse është një boksiere mjaft rezultative, është edhe një gjimnaziste e shkëlqyer në shkollën e mesme “Oso Kuka” që frekuenton.

SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"