Çudira në Berat/ Bojkotojnë stërvitjen, lojtarët e Tomorit duan dorëheqjen e trajnerit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 30, 2021 | 15:42

Çudira në Berat/ Bojkotojnë stërvitjen, lojtarët e Tomorit duan dorëheqjen e trajnerit

Është mbyllur si mos më keq viti për Tomorin. Lojtarët kanë bojkotuar stërvitjen e fundit dhe hapur kanë kërkuar dorëheqjen e trajnerit Klevis Dalipi dhe ndihmësit të tij Iken Droboniku.

Tomori Dalipi

Jabanxhinjtë kanë marrë valixhet dha janë larguar nga Berati që të martën dhe vendësit i nisën pushimet 24 orë para, ndonëse ishin njoftuar që edhe dje do të kishte një seancë.

Stafi teknik, edhe pse i ka pritur në fushë, askush nuk është dukur. Sipas gjithë kronologjisë të ngjarjeve, gjithçka ka qenë e organizuar nga ana e futbollistëve.

Nuk është e para herë që ndodh diçka e tillë në futbollin tonë, por jo në mënyrë kaq demonstrative.

KAPITENI – Për të kuptuar më shumë, “Panorama Sport” kontaktoi me kapitenin e ekipit. Ervis Çaço na shpjegoi gjithçka dhe hapur komunikoi kërkesën në emër të gjithë grupit. E thënë troç, ata presin largimin e trajnerit.

“Bojkoti i stërvitjes së fundit nga ana e skuadrës lidhet me kërkesën e të gjithë futbollistëve për largimin e teknikut Klevis Dalipi dhe ndihmësit të tij Iken Droboniku.

Këtë ma kanë pohuar mua personalisht të gjithë futbollistët pa përjashtim, dhe për këtë arsye, skuadra u shpërnda që ditën e djeshme (të martën) pas stërvitjes dhe ne beratasit duke qenë se jemi të gjithë bashkë sa i takon kësaj kërkese, nuk u paraqitëm sot (të mërkurën) në stërvitjen e paradites.

Na vjen keq që gjërat kanë ardhur deri këtu, edhe pse kishim menduar që ta mbyllnim vitin 2021 me një festë të përbashkët në mes shokëve.

Por, dorëheqja e trajnerit Dalipi është një kërkesë e panegociueshme nga ana jonë. Ne u krijuam si një grup me pretendime dhe premtonim realisht ngjitjen, por mungesa e rezultateve është edhe puna e dobët e trajnerit tonë.

Kështu që, si një ekip jashtë objektivave, duhet të marrë edhe trajneri përgjegjësinë e tij. Kështu si erdhën punët, ai e ka të pamundur drejtimin e Tomorit.

Në fund, dhe për sqarim të gjithë opinionit beratas dhe më gjerë, kërkesa jonë nuk ka lidhje me lekët, pasi të gjithë jemi të mirëpaguar, duke nisur nga trajneri i pari.

Kjo është çështje teknike dhe mungese rezultatesh, pasi si djalë Klevisi gëzon gjithë respektin tonë, por ka dështuar si trajner dhe nuk e dimë se përse duhet të qëndrojë akoma.

Skuadra është jashtë objektivit këtë sezon dhe në Berat do të nisë puna për sezonin e ardhshëm, që Tomori të rikthehet në Superiore me rastin e 100- vjetorit”, përfundon mbrojtësi Çaço.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"