Bojkoti te Luftëtari, trajneri Jovanoviç: Jam me futbollistët. Kam për detyrë të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2020 | 10:14

Bojkoti te Luftëtari, trajneri Jovanoviç: Jam me futbollistët. Kam për detyrë të…

Pas bojkotit të stërvitjes nga lojtarët, dje ishte parashikuar ulja në tryezën e bisedimeve mes drejtuesve dhe lojtarëve të Luftëtarit, por kjo nuk ndodhi. Të gjendur në këtë situatë kaotike, fubollistët vazhduan bojkotin. Ndoshta ky është rast unikal te Luftëtari, që lojtarët të bojkotojnë stërvitjen në periudhën e përgatitjeve verore. Në sinkron me lojtarët është edhe trajneri Marko Jovanoviç, i cili u del në krah të tijve. I kontaktuar në linjë telefonike nga “Panorama Sport”, trajneri serb bën të ditur se rikthimi i tij në Gjirokastër varet nga situata në ekip.
JOVANOVIC

TRAJNERI – “Lojtarët kanë ndalur stërvitjen, unë do jem gjithmonë në krah të tyre. Jemi për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe ata kanë bërë një punë të shkëlqyer. Ne punojmë dhe jemi të bashkuar me një ambicie për të ardhmen. Ndiej dhimbje në zemër dhe kam emocione kur shikoj djemtë e rinj që nuk janë të lumtur. Si trajner nuk kam detyrë vetëm rezultatet, kam detyrën të jem edhe pedagog, psikolog, mësues dhe baba për këta djem të shkëlqyer.

Lojtarët e mi kanë nevojën të jenë të lumtur pas çdo stërvitjeje, ata duhet të kënaqen duke luajtur futboll dhe jo të jenë të demoralizuar e të trishtuar. Nuk është puna ime të jem ekonomist, organizator, drejtor, kjo pjesë i përket presidentit dhe klubit. Ata duhet të bëjnë disa lëvizje dhe të na zgjidhin duart për të punuar. Kur vij në Gjirokastër, jam ushtar i këtij klubi, e ndiej sikur të ishte klubi im, por nuk mund ta shikoj në një situatë të tillë. Diçka duhet të ndryshoj, do kthehem në Gjirokastër kur të kem lojtarë të lumtur në stërvitje, kur të vijnë disa emra të rinj dhe të kemi një situatë normale”, tha Jovanoviç.

Luftetari Oriku

SITUATA – Burime konfidenciale për gazetën bëjnë me dije se bojkoti do vazhdojë për aq koha sa mungojnë bisedimet lojtarë-president. Futbollistët janë të vendosur për t’i shkuar deri në fund zgjidhjes së “ngërçit” të krijuar që nga sezoni i fundit. Dje një grup lojtarësh kanë reklamuar shqetësimet e mbartura para dyshes MeçaniZeko dhe më pas janë larguar nga “Fusha e Vjetër”.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"