Bizhdili me ide të qarta: Jo lojtarë të mbaruar te Besa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2019 | 18:38

Bizhdili me ide të qarta: Jo lojtarë të mbaruar te Besa

Besa ka hyrë në fazën më të vështirë të fazës përgatitore, por edhe në fazën finale të merkatos verore. Ekipi po zhvillon nga dy seanca në ditë, duke pasur “kundërshtar” edhe temperaturat mjaft të larta të këtyre ditëve. E ndërsa futbollistët po djersijnë në fushë, duket se edhe presidenti Nexhat Bizhdili po “djersin” jashtë saj për afrimet cilësore që pret trajneri Gugash Magani dhe që Besa e tij ka nevojë.

bizhdili magani

Presidenti i kavajasve nuk zbulon asnjëherë emra para kohe, por nga burime pranë tij mësohet se janë gati edhe tri goditje në merkato, dy futbollistë shqiptarë dhe një sulmues i huaj. I pyetur rreth merkatos, presidenti Bizhdili shprehet: “Ne diskutojmë çdo ditë me stafin teknik dhe jemi koshientë se ekipit i duhen patjetër edhe 3- 4 afrime cilësore.

Nuk është sekret të them se më janë vetofruar shumë lojtarë. Megjithatë, nuk kam në plan të marr lojtarë “të mbaruar”, siç thotë populli. Mund t’ju them se bëhet fjalë për afrime në të tria repartet, mbrojtje, mesfushë dhe sulm, por emrat nuk mund t’i zbuloj tani. Më mirë të vonohemi dhe  këtë javë dhe të marrim lojtarë vërtet që ia vlejnë, se të nxitohemi si vitet e tjera”.

SHKËPUTJA – Presidenti i Besës ka folur më tej në prononcimin e tij për “Panorama Sport” edhe për objektivin e sezonit. Bizhdili sfidon rivalët e grupit, Lushnjën, Apoloninë e ndonjë ekip tjetër, duke u shprehur se kreu do të ketë vetëm një “pronar”, Besën e tij, madje ai e mendon të shkëputur ndjeshëm. “Superiorja?

Unë besoj se që në dhjetor Besa do jetë shkëputur ndjeshëm nga rivalët në krye të grupit. Nëse vjet Besa udhëhoqi hap pas hapi me Bylisin, besoj se këtë sezon do të jetë e vetme në kryesim. Prisni të shihni këto që po ju them gjatë kampionatit. Prandaj dhe po duroj në merkato, vetëm e vetëm të afroj lojtarë që bëjnë diferencën me të tjerët”, ka shtuar presidenti Bizhdili.

Fillimi i javës së ardhshme do të jetë afati i fundit, kur 3 lojtarët e rinj do t’i bashkohen Besës në stërvitje. Trajneri Gugash Magani këmbëngul t’i ketë këta lojtarë sa më shpejt në ekip, pasi kanë mbetur edhe 3 javë nga starti i kampionatit dhe grupi duhet të jetë i kolauduar.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"