Debutoi me Izraelin si kuqezi, kush është Egzon Binaku, mbrojtësi që u ble 900 mijë euro nga Malmo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2018 | 20:10

Debutoi me Izraelin si kuqezi, kush është Egzon Binaku, mbrojtësi që u ble 900 mijë euro nga Malmo

Kristian Panuçi e kishte zbuluar Egzon Binakun, që në muajin mars të këtij viti dhe e grumbulloi në miqësoret ndaj Kosovës dhe Ukrainës. Mirëpo, 23-vjeçari u dëmtua dhe mungoi në dy humbjet radhazi të kuqezinjve në fundin e majit dhe fillimin e qershorit.

binaku

I panjohur për tifozët shqiptarë, por mjaftonte fakti që Malmo kishte besuar tek ai dhe kjo bindi edhe trajnerin kuqezi se bëhej fjalë për një mbrojtës të majtë shumë premtues. Ishte koha kur Panuçi deklaronte se po kërkonte një lojtar që do të zëvendësonte Ansi Agollin. Pasi kaluan tre muaj nga thirrja e parë dhe për më tepër marrja e nënshtetësisë shqiptare, Binaku u shfaq të premten e 7 shtatorit në “Elbasan Arena”. Një paraqitje mbresëlënëse ndaj Izraelit, që të jepte përshtypjen se lojtari me origjinë nga Kosova, por i lindur dhe i rritur në Suedi, kishte vite që luante për kuqezinjtë.

90 minuta si mbrojtës i majtë dhe një debutim fantastik. Nivel i mirë teknik, i shpejtë dhe mbi të gjitha një përgatitje fizike për t’u admiruar. Malmo shpenzoi 900 mijë euro për ta blerë nga Haken, një shumë e lartë për një mbrojtës. Por, kush është Binaku? Ai është formuar si futbollist tek IFK Amal, ekipin e vendlindjes së tij. Në vitin 2014 u pikas nga Haken, një klub nga Goteborgu, që militon në elitën e futbollit suedez.

binak

Pas një sezoni ku pati pak hapësira, u transferua te Ljungskile në formë huazimi. Më pas u rikthye te Haken, duke u bërë titullar. Në vitin 2017 u ndëshkua me karton të kuq në një ndeshje ndaj Malmos, por ai moment bëri që klubi gjigant suedez të investonte për të riun. Binaku firmosi një kontratë 4-vjeçare dhe që prej janarit të këtij viti është pjesë e Malmos, duke luajtur 14 ndeshje deri më tani si titullar.

binaku

“Binaku është një mbrojtës i shpejtë, i zoti me këmbë dhe i mirë në lojën një kundër një”, deklaronte drejtori sportiv i Malmos, Daniel Anderson, pasi Binaku u ble nga skuadra suedeze. Sot mbrojtësi i majtë mund të ishte pjesë edhe e kombëtares suedeze, por u bind të pranonte ftesën e Panuçit. Ai ka luajtur një ndeshje me Kombëtaren U-21 të Suedisë më 22 qershor të vitit të kaluar, pikërisht në humbjen 3-0 ndaj Sllovakisë.

binaku

Elozhet për lojtarin ishin të shumta pas ndeshjes me Izraelin, ndërsa Panuçi po fërkon duart, pasi më në fund ka gjetur “sozinë” e Agollit, madje pikërisht në një ndeshje ku ky i fundit e nisi nga stoli.

JORGIS MEMO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"