“Besën duhet ta kenë frikë këtë sezon”, Tafili: Fusha e Luzit na penalizon, bashkia duhet të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2021 | 14:20

“Besën duhet ta kenë frikë këtë sezon”, Tafili: Fusha e Luzit na penalizon, bashkia duhet të…

Alsid Tafili “skanon” Besën dhe rivalët. Edhe pse ky sezon i gjen sërish në Luz, shkodrani nuk e diskuton ngjitjen. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori evidenton se ekipi është gati për të sfiduar këdo: “Fushën e Luzit e njohim mirë, pasi kemi luajtur edhe sezonin e shkuar.

tafili

Kemi pasur vështirësi sa i përket cilësisë së terrenit, por na favorizon në disa aspekte, bie fjala afërsia, tifozët etj. Ne do të dimë t’ia dalim edhe në këtë terren. Me këtë rast gjykoj se bashkia duhet të marrë masa për fushën dhe të jetë më pranë ekipit edhe për të tjera gjëra. Kam aq përvojë si futbollist sa t’u garantoj se miqësoret kanë vlera vetëm për aplikimin e skemave taktike dhe testimin e lojtarëve të rinj. Mjaft nga titullarët kuptohet se nuk dhanë maksimumin pasi edhe u ruajtën nga dëmtimet. Në pjesët e dyta u aktivizuan gjithnjë futbollistët e rinj.

Tashmë grupi është plotësuar nga afrimet e fundit dhe vetëm tani mund të them se jemi gati. Duhet të na kenë frikë këtë sezon”. Gara do të jetë e fortë dhe Tafili e di këtë, ndaj radhit si skuadra pretendente edhe Bylisin me Erzenin. “Pres garë të fortë dhe të barabartë. Gjykuar nga afrimet, mendoj se Erzeni e Bylisi kanë bërë mirë, por të parën rendis Besën time. Vlen kush përfundon kampionatin në fund.

Por kuptojeni se për kreun nuk mjafton vetëm të luash mirë, ndikojnë mjaft faktorë të tjerë. Ne do t’i marrim pa presion javët, nga e para, dhe do të futemi në çdo sfidë me objektiv fitoren. Ju e dini se deri ditën e fundit të merkatos te ne erdhën 3 grupe lojtarësh.

Disa titullarë nga sezoni i shkuar, të rinj dhe përforcimet e verës. Kur them po hyjmë në ritmin e kampionatit, kam parasysh shkrirjen dhe kolaudimin e lojës sonë. Fati qëndron se nga merkatoja janë afruar emra me shumë përvojë, që merren vesh shpejt me grupin. Forca e Besës do të qëndrojë në alternimin e pjekurisë me rininë e lojtarëve, që nuk janë edhe aq të rinj. Thjesht do ta nisim me fitore ndeshjen e parë e pastaj nga java në javë pres që kjo Besë të vijë drejt perfeksionit në çdo aspekt”, përfundoi shkodrani.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"