Besëlidhja super, ia del në Pukë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2016 | 13:34

Besëlidhja super, ia del në Pukë

Besëlidhja ia del edhe në Pukë, teksa fiton me shifrat 0-2 dhe tashmë shpreson te ndalesa e Kamzës kryesuese. Ndaj Tërbunit ishte triumfi i tretë radhazi për lezhjanët, që më parë kishin mposhtur në shtëpi Shënkollin dhe Besën. Për golat në Pukë mendoi sulmuesi nga Guinea, Sekou Kamara, i cili shënoi dy herë në limitet e pjesëve. Në stadiumin “Ismail Xhemali” kanë qenë të pranishëm vetëm 100 tifozë.

Pjesa e parë u bë e vështirë për shkak të mjegullës që mbuloi stadiumin. Kjo u shkaktoi vështirësi ekipeve të gjenin portat kundërshtare, por gjithsesi nuk çoi në ndërprerjen e takimit. Besëlidhja e drejtuar nga Alban Bruka ishte më e qartë në atë që kërkonte dhe meritoi fitoren, në një kohë që pukjanët konfirmuan krizën e rezultateve. Ky sezon është një nga më të vështirët për Tërbunin në Kategorinë e Parë dhe tashmë pukjanët po i bëjnë llogaritë me luftën për mbijetesë.

Terbuni-Beselidhja

Pjesa e parë

Rasti i parë regjistrohet në portën e Besëlidhjes. Në minutën e 4-t, pas një kundërsulmi të shpejtë, vendësit rrezikojnë me sulmuesin Puka, i cili shfrytëzon një top të gjatë në zonë, gjuan, por nuk ia del të shënojë. Në minutën e 7-të, kapiteni i Besëlidhjes, Dritan Smajli, i jep një asist sulmuesit Bajiç, por goditja e këtij të fundit pritet nga portieri Kuka. Pas këtyre rasteve, loja u përqendrua në mesfushë dhe sulmet reshtën për shkak të mjegullës.

Gjithsesi, në minutën e 30-të, Lekaj, një ish-lojtar i Tërbunit që aktualisht luan për Besëlidhjen, iu afrua shumë golit. Mesfushori goditi bukur me të djathtën, por Kuka shpëtoi Tërbunin. Më pas, pukjanët reagojnë me Saliajn dhe Osmanollajn, por pa rezultat.

Kur mendohej se pjesa e parë do të mbyllej me rrjeta të paprekura, miqtë nga Lezha hidhen në sulm dhe arrijnë të kalojnë në avantazh në minutën e 45-të, kur Kamara gjuan nga jashtë zone dhe topi shkon në rrjetë pas devijimit nga mbrojtësit. Kësisoj, pjesa e parë mbyllet me avantazhin e lezhjanëve.

Pjesa e dytë

Pas pushimit, skuadrat rifuten në fushë me të njëjtat formacione. Loja është më e bukur, me sulme dhe kundërsulme të të dy ekipeve. Në minutën e 50-të pukjanët kanë qenë pranë barazimit me Osmanollajn, por Demi u ka mohuar golin. Loja ekuilibrohet, por vendësit nuk e kanë forcën e duhur për t’u bërë dëm lezhjanëve. Pas minutës së 70-të është Besëlidhja, e cila falë freskisë fizike, arrin të sulmojë pa reshtur portën e Tërbunit. Mirëpo, miqtë hasin në formën e mirë të portierit Kuka, që eviton gola të sigurt.

Minutat kalojnë shpejt dhe dukej sikur gjithçka do të përfundonte me fitoren minimale të Besëlidhjes. Por, nuk ishte e thënë kështu, pasi në kohën shtesë, një kundërsulm i shpejtë i lezhjanëve, bëri që Kamara të dalë i vetëm me portierin, duke shënuar pa vështirësi. Gjithçka mbyllet me triumfin 0-2 për miqtë, në një ndeshje ku skuadra e Brukës meritoi plotësisht 3 pikët.

Bruka: Merituam fitoren, vazhdojmë me këtë ritëm

Alban Bruka ka mbetur i kënaqur me paraqitjen e skuadrës në ndeshjen e djeshme në Pukë. Trajneri i Besëlidhjes deklaroi, ndër të tjera, se ky grup lojtarësh meriton të ngjitet në Kategorinë Superiore. “Ne e kishim vlerësuar maksimalisht këtë takim, pasi Tërbuni gjatë fazës së parë na ka marrë një barazim në Lezhë. Ishim përgatitur dhe erdhëm në Pukë vetëm për fitore. Edhe pse kushtet e këqija atmosferike na penguan disi, sërish çdo gjë shkoi perfekt. Morëm tri pikë të vlefshme dhe e meritojmë të ngjitemi në Superiore. I falënderoj drejtuesit e Tërbunit për mikpritjen”, ka thënë trajneri i lezhjanëve.

Në drejtimin e Brukës, Besëlidhja nuk njeh humbje, për më tepër që ka arritur një sukses historik, duke eliminuar Partizanin në Kupën e Shqipërisë. Në Lezhë shpresojnë që deri në fund të kampionatit të jenë ata që do të fitojnë të drejtën e ngjitjes në Kategorinë Superiore. Megjithatë, janë të ndërgjegjshëm se përpara kanë një rival shumë të vështirë si Kamza, që i mposhti në fushën e tyre me shifrat 3-1. Gjithsesi, kampionati është i gjatë dhe Besëlidhja nuk është dorëzuar.

Zv.trajneri i Tërbunit: Duhej të merrnim pikë

Numri dy i pankinës pukjane, në deklaratën pas ndeshjes, shprehu keqardhjen për humbjen. Ergys Neziri deklaroi se ekipi dha gjithçka në fushë dhe meritonte të paktën një pikë. “Më vjen keq që dolëm pa pikë nga ky takim. Futbollistët dhanë maksimumin e tyre dhe luajtën shumë bukur, por ky është futbolli. Besoj se do arrijmë të mbijetojmë në të Parën”, është shprehur Neziri.

Ndërkohë, Tërbuni vazhdon të mbetet në kuotën e vetëm tri pikëve. Pukjanët nuk kanë shijuar ende një fitore këtë kampionat, duke qenë shumë larg pritshmërive. Problematikat në klub kanë qenë të mëdha dhe këto janë reflektuar në fushën e lojës, në një kohë që janë larguar deri më tani tre lojtarë.

DITMIR PEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"