“Besëlidhja nuk largohet pa pikë nga transferta e Fierit”, trajneri Bruka: Skuadra po kthehet në “shtratin” e duhur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2021 | 11:25

“Besëlidhja nuk largohet pa pikë nga transferta e Fierit”, trajneri Bruka: Skuadra po kthehet në “shtratin” e duhur

Besëlidhja, të dielën, do të luajë në transfertë me Apoloninë, ku lezhjanët shpresojnë në arritjen e një rezultati pozitiv në stadiumin “Loni Papuçiu”. Fitorja 2- 0 ndaj Vorës në stadiumin e Lezhës, por edhe loja e mirë e zhvilluar në Kupë ndaj Partizanit, ka rikthyer shpresën në radhët e lezhjanëve, që shkojnë në Fier me moral të lartë duke besuar se nuk do të dalin pa pikë nga ky takim.

alban bruka

Trajneri Alban Bruka, pas fitores 2-0 ndaj Vorës dhe humbjes minimale 0-1 ndaj Partizanit për Kupë, beson se skuadra e tij e ka lënë pas ecurinë negative të startit të sezonit dhe gradualisht po i rikthehet lojës së saj.

Për “Panorama Sport” Bruka u shpreh besimplotë në rifillimin e një cikli në ngjitje. “Besëlidhja e këtij fillim sezoni ka qenë jashtë standardit të formatuar gjatë fazës përgatitore, ndaj, jemi deficit me pikët e marra.

Fitorja e fundit në kampionat, 2-0 ndaj Vorës, si dhe humbja në Kupë të mërkurën ndaj Partizanit, 0-1, me një penallti të dyshimtë, e ka rikthyer Besëlidhjen në ‘shtratin’ e saj dhe besoj se ditët e vështira tashmë i përkasin të kaluarës.

Ne po nisim epokën e ringritjes. Të dielën do të ndeshemi në transfertë ndaj Apolonisë, ndeshje që po e vlerësojmë maksimalisht për vetë specifikat e saj dhe objektivat e të dyja ekipeve. Loja që zhvilluam me Vorën, por edhe paraqitja shumë e mirë ndaj Partizanit, më ka ngrohur.

Kështu që në Fier shkojmë të normalizuar psikologjikisht, çka do të na vlejë që ta mirëmenaxhojmë lojën për të pasur rezultat.

Kam besim se nga Fieri nuk do të kthehemi pa pikë, gjë që do të na largojë nga zona e rrezikut. Besëlidhja është formatuar për pretendime, ndaj, mbijetesën dhe këtë nuk e diskutojmë”, u shpreh trajneri Bruka për gazetën përpara ndeshjes me Apoloninë.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"