Besëlidhja nis merkaton, rikthen Seminën nga Zvicra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2016 | 11:47

Besëlidhja nis merkaton, rikthen Seminën nga Zvicra

Besëlidhja nis merkaton. Edhe pse duhet edhe një ndeshje që të mbyllet pjesa e parë e sezonit dhe më shumë se 15 ditë nga janari, lezhjanët kanë nisur goditjet e para. Gjithçka nisi disa ditë më parë me largimin e katër futbollistëve, ende pa përfunduar gjysma e sezonit. Ertan Hasan, Djalo So Karlos, Jurgen Goxha dhe Orian Xhemalaj u larguan nga Besëlidhja duke ndërprerë bashkëpunimin.

semina

Dje ka qenë radha e afrimeve ku klubi ka bërë goditjen e parë në merkato. Nga dje, me ekipin është bashkuar në stërvitje mbrojtësi Klodian Semina. Mbrojtësi, i cili ka luajtur edhe më parë me lezhjanët, nga janari i 2014-ës në dhjetor të 2015-ës është rikthyer për të luajtur me Besëlidhjen. Semina Pas përfundimit të aventurës së parë me Besëlidhjen, lojtari u transferua në Zvicër, ku luajti në ligat inferiore gjatë kësaj periudhe.

Ai ka firmosur kontratën me skuadrën dhe është gati të luajë në pjesën e dytë të sezonit. Në një prononcim për gazetën, Semina shprehet: “Tashmë, unë e njoh Besëlidhjen dhe pas një largimi 1-vjeçar ku kam luajtur në kategorinë e tretë në Zvicër, vendosa që të kthehem përsëri pas një kontakti që pata me presidentin Noka.

Që nga e marta unë jam zyrtarisht pjesë e Besëlidhjes, pasi e kam nënshkruar kontratën dhe i jam bashkuar skuadrës në stërvitje. Në nisje të gjysmës së dytë të sezonit do të jem i gatshëm në dispozicion të Alban Brukës. Te Besëlidhja gjeta shumë pak nga lojtarët që kam lënë. Objektivi i skuadrës është ngjitja në Superiore, pasi kjo m’u komunikua që me ardhjen në Lezhë.

Duke parë pozicionin në tabelë, përbërjen e skuadrës dhe stafin teknik, jam i bindur se do t’i kapim objektivat. Ende nuk është mbyllur gjysma e sezonit, ndaj është shumë herët për parashikime të sakta, por një skuadër si Besëlidhja të jep shpresë për ngjitjen në elitë”, deklaroi Klodian Semina.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"