Besëlidhja në kor: Me Kamzën është si finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2012 | 13:28

Besëlidhja në kor: Me Kamzën është si finale

Besëlidhja u dha dje dorën e fundit për gatitjeve për ndeshjen e sotme që do të luajë në fushën e vet ndaj Kamzës. Gjatë të gjithë javës skuadra lezhjane, e drejtuar nga trajneri Ledion Zenuni, u stërvit intensivisht për t’iu përshtatur lojës së kundërshtarit, në mënyrë që të marrë maksimumin e pikëve.
Pepaj Kapiteni i Besëlidhjes, Vahi Pepaj, në një prononcim për “Panorama Sport”, shprehet optimist për takimin ndaj Kamzës. “Është një skuadër që vjen nga Superiorja, por që në renditje është me pikë të barabarta, çka do ta bëjë tepër agresive të kërkojë me ngulm qoftë edhe një pikë. Gjatë javës skuadra është stërvitur intensivisht. Nën drejtimin e trajnerit Zenuni, i cili po bën një punë të palodhur, gjithçka ka shkuar shumë mirë dhe është punuar me imtësi në çdo repart. Atë që ndodhi në Velipojë, në ndeshjen me Burrelin javën e kaluar, e kemi lënë pas për ta kompensuar me gola në sfidën ndaj Kamzës”, – shprehet kapiteni.
Beqiri Mesfushori Ardian Beqiri, i cili fazën e parë të sezonit të kaluar ishte pjesë e Kamzës, është optimist për një fitore në takimin e sotëm. “Kamza është një skuadër që luan mirë futboll dhe ka shumë futbollistë cilësorë. Unë e njoh shumë mirë atë skuadër, pasi kam qenë pjesë e saj kur ishte në Superiore. Edhe pse sot është në një kategori me ne dhe me pikë të barabarta dhe luan në transfertë, do të kërkojë me ngulm të paktën barazimin. Duke u nisur nga forma që po kalojmë momentalisht dhe nga domosdoshmëria për pikë, pasi jemi në renditje në një zonë të ftohtë, angazhimi është maksimal për të marrë 3-pikëshin e radhës. Jam i bindur se detyrat e ngarkuara nga trajneri do t’i kryejmë më së miri, çka do të thotë një fitore bindëse para tifozërisë lezhjane”, – përfundon prononcimin e tij mesfushori Beqiri. Për trajnerin Zenuni është i rëndësishëm fakti që do t’i ketë të gjithë futbollistët në dispozicion. Deri tani skuadra nuk ka bërë një paraqitje të mirë dhe është shumë larg objektivit të fillimit të sezonit: ngjitja në Superiore. Besëlidhja është tetë pikë larg vendit të dytë, që të dërgon një kategori më lart, dhe për lezhjanët rruga duket shumë e vështirë. Drejtuesit kanë premtuar ndërhyrje në merkato gjatë janarit.
PRENG GJIKOLA

Maho prenoton golin në Lezhë
Kamza ka lëshuar dukshëm terren, pasi skuadra nuk ka mundur të grumbullojë më shumë se 13 pikë deri tani dhe renditet në zonën e ftohtë të kësaj kategorie. Pas barazimit 2-2 me Naftëtarin, atmosfera e krijuar në skuadër nuk është e duhura. Të besuarit e trajnerit Shahin Berberi janë në presion për të marrë fitoren në trasfertën e Lezhës kundër Besëlidhjes. Blutë e trajnerit Berberi janë “të dënuar” të fitojnë, sepse nuk mund të lejohet një tjetër dështim. Rezart Maho, një prej sulmuesve më kryesorë të Kamzës, para kësaj sfide thotë: “Më pëlqen që të vazhdojmë me serinë e rezultateve pozitive. Pas Besëlidhjes, që do të luajmë nesër (sot), kam dëshirë t’i shënoj gol edhe klubit ku u rrita si futbollist: Partizanit. Fitorja me Besëlidhjen në Lezhë natyrisht që na rikthen buzëqeshjen. Për ne kjo konsiderohet një përballje e vështirë, por jo e pamundur për t’u kaluar. Është një transfertë vendimtare, pasi luajmë me Besëlidhjen, që është një ekip elitar dhe me mjaft përvojë. Por, edhe lezhjanët, ashtu si ne ndodhen në “zonën e ftohtë” të tabelës së renditjes, por ne do të udhëtojmë për fitore”, – përfundon sulmuesi i Kamzës.
Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"