Besëlidhja gati për sezonin e ri, trajneri Plori: Kam vetëm një merak

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2019 | 15:52

Besëlidhja gati për sezonin e ri, trajneri Plori: Kam vetëm një merak

Besëlidhja zhvilloi dje ndeshjen e za konshme të kontrollit, ku trajneri Plori testoi të gjithë futbollistët që ka në dispozicion. Deri tani lezhjanët kanë zhvilluar 4 ndeshje miqësore, 3 me kundërshtarë nga Superiorja.

elvis plori

Edhe pjesa e mbetur e fazës përgatitore do të ketë ndeshje miqësore, siç konfirmon trajneri Elvis Plori gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”: “Faza përgatitore ka shkuar shumë mirë, siç e kam programuar dhe kjo është e rëndësishme. Besoj se tani ekipi po shkon drejt formatimit të plotë. Futbollistët po e marrin ngarkesën e duhur dhe gjatë ndeshjeve miqësore janë paraqitur mirë. Për këtë mesjavë nuk patëm planifikuar ndeshje miqësore, pasi donim që ta testonim ekipin brenda llojit, për t’i parë të gjithë futbollistët e grumbulluar me qetësi.

Në përgjithësi, repartet po funksionojnë mirë, mbrojtja është në lartësinë e duhur, po ashtu edhe mesfusha e kontrollon lojën dhe e qarkullon topin ashtu siç duhet, duke e furnizuar sulmin. Pra, në përgjithësi jam i kënaqur, përveç sulmit, ku ka pak çalim në finalizimin e aksioneve në rastet që ne arrijmë të krijojmë, por deri në nisjen e sezonit besoj se edhe atë defekt do ta riparojmë. Po punojmë në mënyrë të diferencuar me futbollistët e repartit ofensiv. Për të shtunën kemi planifikuar një miqësore ndaj Veleçikut në Lezhë dhe deri në mbyllje të fazës përgatitore do të luajmë edhe të paktën tri-katër miqësore, që besoj se do të jenë të mjaftueshme për karikimin maksimal të ekipit. Ashtu siç e theksova edhe më lart, Besëlidhja po shkon drejt formatimit, çka do të thotë se merkatoja jonë pothuajse është e mbyllur. Megjithatë, ndoshta deri në mbylljen zyrtare të merkatos mund të kemi ndonjë lëvizje të fundit, pasi nuk i dihet. Mund të detyrohemi të ndërhyjmë nga ndonjë e papritur, që urojmë të mos na ndodhë”.

Drejtuesit e ekipit lezhjan e kanë bërë shumicën e përforcimeve në fillim të merkatos dhe gjatë kësaj periudhe trajneri Plori është mundur të kolaudojë grupin dhe të bëjë lidhjen e duhur të reparteve mes tyre.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"