Besa s’njeh pushim/ Dy seanca në ditë, Bubeqi e nis me “dorë të hekurt”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2021 | 17:02

Besa s’njeh pushim/ Dy seanca në ditë, Bubeqi e nis me “dorë të hekurt”

Verdhezinjtë po shfrytëzojnë në maksimum ndërprerjen e kampionatit, e cila erdhi në momentin e duhur. Që nga dita kur trajneri Dorjan Bubeqi mori drejtimin e Besës, urdhëroi që grupi të stërvitej me dy seanca stërvitore në ditë. Kjo ka filluar të zbatohet nga e hëna dhe në fokus është rritja e parametrave fizikë.

besa 1

Kavajasit bënë afrime të shumta deri në limitin e merkatos, duke bërë që jo të gjithë të zhvillonin një fazë të mirëfilltë përgatitore. Kjo u reflektua edhe në rënien e lojës së ekipit, e hasur kryesisht në minutat e fundit të ndeshjeve. Kjo mbetet arsyeja që stafi teknik ka preferuar që këtë ndalesë të garës të kampionatit ta shfrytëzojë në maksimum. I pyetur se sa u shërben kjo pauzë verdhezinjve, mbrojtësi Skerdian Perja për “Panorama Sport” thotë:

“Siç e dini, merkatoja jonë vijoi deri ditën e fundit të saj. Ndeshjet e para i zhvilluam duke shfrytëzuar më shumë përvojën, shto këtu dhe faktin se grupi ka akoma nevojë për t’u harmonizuar, ndaj zhvillimi i dy seancave në ditë për ne është i domosdoshëm. Si futbollistë profesionistë, jemi të ndërgjegjshëm se futbolli luhet me mend dhe gjunjë.

Nëse nuk je mirë fizikisht, atëherë edhe psikologjikisht nuk je i qetë. Duhet ta shfrytëzojmë në maksimum këtë pushim të kampionatit. Kjo ndërprerje ka ardhur në momentin e duhur për Besën”, ka përfunduar Perja.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"