Besa shtyn nisjen e stërvitjes, Zeqiri: Është si COVID i dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2021 | 22:37

Besa shtyn nisjen e stërvitjes, Zeqiri: Është si COVID i dytë

Nisja e Kategorisë së Parë më 11 shtator do të sjellë natyrshëm edhe shtyrjen e fazës përgatitore. Besa kishte planifikuar të zbriste në fushë më 1 korrik, por plani ka ndryshuar. Nëse do të ndodhte kështu, atëherë do të përkthehej në 70 ditë stërvitje dhe logjikisht do të ishin të tepërta.

Adonis Zeqiri

Kjo i jep kohë klubit edhe për zgjedhjen e trajnerit, pasi sikundër dihet, stoli mbetet bosh. Me largimin e Ndriçim Kashamit, presidenti po shqyrton kandidatët për këtë pozicion. Janë disa emra të preferuar prej tij dhe të tjerë që i janë propozuar, por deri tani që flasim nuk ka asgjë konkrete.

Adonis Zeqiri e quan një COVID të dytë këtë zgjatje të kohës së pushimit, kur bëhet fjalë për futbollistët e rinj. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi kosovar thotë:

“Mësova se do nisim stërvitjen më 1 korrik dhe u gëzova. Ndihem i plogësht pa futboll, që më mungon nga muaji maj, shto këtu edhe ndërprerjen që patëm prej COVID-it.

Nga janari na ka rënë të luajmë futboll vetëm 2 muaj e për ne të rinjtë kjo ndikon psikologjikisht. Sot më shumë se kurrë ne të rinjtë kërkojmë të luajmë mundësisht minimumi 1 ndeshje në javë. Mezi po pres t’i bashkohem grupit e të luaj, por druhem se stërvitja mund të nisë më 1 gusht, tani që u vendos që kampionati fillon më 11 shtator”.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"