Bellai nuk ul ritmin, provon titullarët e Bylisit me ekipin U21 të Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2022 | 17:39

Bellai nuk ul ritmin, provon titullarët e Bylisit me ekipin U21 të Tiranës

Bylisi vijon fazën përgatitore, ndërsa dje trajneri Arian Bellai dhe stafi i tij kanë testuar formën e një pjese të mirë të lojtarëve. Ata kanë shfrytëzuar takimin e U-21 ndaj Tiranës dhe aty kanë parë formën e disa lojtarëve. Duke filluar që nga Eridon Qardaku dhe Beji Antoni që kanë qenë autorët e fitores me dy golat e tyre.

bylis

Si titullarë në sfidën e djeshme kanë luajtur edhe Marin Abazaj si dhe nigeriani tjetër Çarl Atshimene, që edhe këta kanë bërë një paraqitje të mirë. Ndërsa Bellai ka provuar edhe Beqajn, Skënderajn, Kastratin, Eminin, Ndreun, Maçollin, Ruçin e Qoshkun. Ajo që bie në sy është fakti se dhe lojtarët e dëmtuar tashmë janë rikuperuar plotësisht, teksa do të marrin ngarkesat e plota në këtë fazë përgatitore dimërore.

Bellai ka marrë sinjale pozitive nga pjesa dërrmuese e lojtarëve, ndërsa ka ndjekur me interes edhe lojtarët nigerianë ku në sfidën e djeshme kanë luajtur plot 6 lojtarë dhe 4 prej tyre janë aktivizuar në sfidën e djeshme, si titullarë, por edhe zëvendësues. Krahas Bellait me skuadrën janë duke u marrë shumë edhe dy ndihmësit e tij, greku Kosta Michailidhis që merret edhe me përgatitjet fizike dhe atletike të skuadrës si dhe ballshioti Arvid Bregasi.

Ndërkohë, në miqësoren që do të zhvillojë ditën e shtunë në Vlorë, stafi mallakastriot do të provojë tërë lojtarët e gatshëm. Kjo do të jetë miqësorja e parë për këtë fazë, ndërkohë javën që vjen janë planifikuar edhe dy sfida të tjera testuese me shumë gjasa me ekipe të elitës apo dhe pretendente të Kategorisë së Parë. Kujtojmë që Bylisi pas ndërprerjes ka një ndeshje delikate me Laçin në Ballsh dhe ballshiotët pas shtatë javësh do të kërkojnë me çdo kusht fitoren e parë për të lënë edhe zonën e rrezikut. Ballshiotët kanë nisur që të mendojnë edhe për merkaton e dimrit.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"