Behiratçe: Tregojmë që ka edhe Dinamo, fitojmë ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2024 | 11:19

Behiratçe: Tregojmë që ka edhe Dinamo, fitojmë ne

Dinamo luan të di elën derbin e katërt dhe të fundit kundër Tiranës për këtë sezon. Është mundësia e fundit për të marrë një fitore ndaj këtij kundërshtari, një rival direk tashmë në garën për në “Final 4”. Dy skuadrat kanë pikë të barabarta aktualisht, nga 36 secila, por blutë kanë një ndeshje më pak.

behiratce

Dinamo ndoshta vjen në momentin më të mirë për të përballuar një derbi. Skuadra e trajnerit Dritan Mehmeti ka rritur lojën javët e fundit, ndërsa një favor tjetër në raport me kundërshtarin është se lojtarët e saj janë më të freskët fizikisht. Megjithatë, vetëm fusha është ajo që jep verdiktin dhe në kampin dinamovit po përgatiten me kujdes dhe përqendrim maksimal.

Mbrojtësi Zhoselin Behiratçe është shpallur kampion me Tiranën dy sezone më parë dhe e njeh shumë mirë këtë skuadër, pavarësisht ndryshimeve që ajo ka bërë kohët e fundit. Behiratçve e respekton Tiranën, jo vetëm se ka veshur fanellën e saj, por beson shumë se të dielën mund të jetë momenti i Dinamos për fitore.

Behiratçe, të dielën luani derbin e radhës me Tiranën. Si e prisni këtë sfidë?

Po, është një ndeshje shumë e rëndësishme për Dinamon në këtë pikë të kampionatit. Skuadra është munduar të përgatitet sa më mirë, sepse e dimë që do të jetë e vështirë. Tani kanë rëndësi pikët dhe ne do të hyjmë në fushë vetëm për të fituar.

Tabunë e derbeve me Partizanin e keni thyer. A ka ardhur momenti për të thyer edhe Tiranën, ndaj së cilës nuk keni asnjë fitore?

Është e vërtetë. Nuk kemi fituar asnjë nga tri ndeshjet që kemi zhvilluar këtë sezon me Tiranën. Kemi lënë pikë të rëndësishme në ato dy humbje dhe një barazim që kemi ndaj tyre. Mendoj se ka ardhur momenti që të fitojë Dinamo, kam besim. Të dielën duhet t’i tregojmë qytetit se ka edhe Dinamo, jo vetëm Tiranë dhe Partizan. Por këtë duhet ta tregojmë në fushë, duke luajtur një ndeshje të mirë në çdo aspekt. Duhet të tregojmë se jemi edhe në këtu.

Dinamo vjen në një moment më të mirë në raport me kundërshtarin. Sa mund t’ju ndihmojë ky fakt?

Mund të jetë një plus, por gjithçka varet nga ajo që ne do të japim në fushë. Siç thotë gjithmonë trajneri ynë, duhet të bëjmë vetëm llogaritë tona dhe vetëm për ndeshjen e radhës. Duhet t’i hedhim hapat të sigurt dhe një e nga një. Kundërshtari mund të ketë problemet e veta, por kjo nuk ka rëndësi për ne. E dimë që duhet të jemi në maksimum, të përgatitur për çdo situatë.

Ju e njihni mirë Tiranën. Si mund të mposhtet kjo skuadër në derbi?

Po, e njoh mirë dhe e di që ka futbollistë me kualitet dhe me eksperiencë. Duhet ta vlerësojmë drejt. Për të arritur qëllimin tonë do të thosha se na duhet të luftojmë fort në çdo milimetër të fushës gjatë gjithë kohës. Është ndeshje ku nuk duhet gabuar asgjë: në pasime, në duele, në rikuperimin e topit e të gjitha me radhë. Dhe mbi të gjitha, mund të fitojmë kundër Tiranës, nëse do të jemi efikas. Ka shumë rëndësi që të konkretizojmë lojën tonë, e cila ka qenë e mirë javët e fundit. Nëse jemi efikas dhe shënojmë, do ta kemi më të lehtë. Këto ndeshje kërkojnë përqendrim nga minuta e parë tek e fundit.

Për herë të parë këtë sezon do të luani në “Air Albania”…

Mendoj se do të jetë bukur. Do të jetë një atmosferë e bukur dhe një ndeshje e bukur. Uroj që ta kalojmë në mënyrën më të mirë. Me këtë ndeshje nis edhe faza e fundit e kampionatit.

Sa mundësi ka Dinamo që të shkojë në “Final 4”?

Mundësitë janë dhe ne do t’ia bëjmë shërbimin deri në fund garës, por gjithmonë duke u përqendruar te ndeshja e radhës. Skuadra është në gjendje të mirë, e kemi treguar me lojë. Tani jemi më të bashkuar si grup, sakrifikojmë më shumë. Klubi beson te ne dhe ky është një faktor shumë i rëndësishëm për të gjithë ne. Gara është e hapur plotësisht, verdiktet i jep fusha. Pas asaj nisjeje të vështirë të sezonit, kemi pasur një ecuri të mirë dhe tani luajmë shanset tona.

Keni edhe një ndeshje të prapambetur, që mund të jetë edhe si një bonus për ju, apo jo?

Po, kemi ndeshjen e prapambetur me Teutën, që është një bonus, por duhet të jemi ne që ta shfrytëzojmë vërtet si një bonus. Dua të them se duhet të marrim pikë në çdo ndeshje për të forcuar pozitat tona, duke nisur që nga derbi i së dielës me Tiranën. Me gjendjen që kemi, besoj se do të bëjmë një mbyllje të mirë të sezonit.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"