BASKETBOLL/ Superkupa Mbarëkombëtare, Trepça shkatërron Tiranën (SKEDA DHE REZULTATET)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2022 | 9:49

BASKETBOLL/ Superkupa Mbarëkombëtare, Trepça shkatërron Tiranën (SKEDA DHE REZULTATET)

Është Trepça skuadra fituese e edicionit të dytë të Superkupës Mbarëkombëtare në basketbollin e meshkujve.

TREPCA BASKETBOLLTrepça, skuadra fituese e Superkupës Mbarëkombëtare 2022

Pasi kishte eliminuar në gjysmëfinale një kockë të fortë si Golden Eagle Ylli, ekipi nga Mitrovica kaloi me sukses edhe finalen, teksa mbrëmjen e djeshme shkatërroi Tiranën me rezultatin e thellë 92-52.

Të mbështetur nga një publik i jashtëzakonshëm, me 2500 tifozë që kishin mbushur plot sallën “Minatori”, vendësit u treguan të papërmbajtshëm në finale, duke dominuar në çdo aspekt ndaj bardhebluve, të cilët paraqiteshin me mungesa të rëndësishme.

Një ndeshje që tregoi edhe një herë tjetër diferencën e madhe mes skuadrave të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë, ku mjafton vetëm të përmendim buxhetet e klubeve, me ato kosovare që i kanë disa fish më larta.

Në këtë eveniment i pranishëm ishte edhe sekretari Gjeneral i FIBA World, Andreas Zagklis, i shoqëruar nga kreu i FBK-së, Arben Fetahu, presidenti i FSHB-së, Avni Ponari dhe Kryetari i Bordit Drejtues të Ligës Unike, Ilir Trebicka.

KL (1)

NDESHJA – Në një atmosferë elektrizuese dhe spektakolare në sallë, Trepça menjëherë mori diktatin në lojë, duke bërë që finalja të rezultonte me një sfidë me sens unik.

Kështu mitrovicasit e filluan vrullshëm, duke treguar një rendiment tepër të lartë në fazën sulmuese për ta fituar periodën e parë thellë 38-15.

Në periodën e dytë bardheblutë e Erkand Karajit kanë një përmirësim në lojën e tyre, megjithatë jo aq sa për t’i vendosur në vështirësi vendësit, të cilët e menaxhojnë mjaft mirë lojën.

Kështu 10- minutëshi i dytë mbyllet 21- 18 për Trepën, me kosovarët që shkojnë në pushimin ndërmjet dy pjesëve me epërsinë e përgjithshme 59- 33.

Edhe pas pushimit vendësit nuk e ulin ritmin, duke e rritur gradualisht diferencën e pikëve, për ta fituar 23-8 periodën e tretë, duke kryesuar kështu 82-41 pas 30 minutash lojë.

Perioda e katërt mbetet një formalitet, fraksion që shkon për Tiranën 10-11, por në shifrat të përgjithshme finalja i përket Trepçës me plot 40 pikë avantazh.

Duke kaluar te paraqitjet individuale, plot gjashtë lojtarë të Trepçës prekën kuotë dyshifrore pikësh, ndërsa më rezultativët ishin Erjon Kastrati dhe Andrew Gordon me nga 16 pikë secili. Ndërkohë Kastrati u shpall MVP i finales.

Për Tiranën pikëshënuesi më i mirë ishte afrimi më i fundit, amerikani Seth Brown-Carter, autor i 15 pikëve, i ndjekur nga kapiteni Red Vogli me 12.

Në fund u zhvillua edhe ceremonia, me skuadrën e Trepçës që ngriti lart trofeun në shtëpinë e saj, duke iu gëzuar kështu një triumfi të merituar.

SKE (1)

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"