BASKETBOLL MESHKUJ/ Vllaznia rikthehet fuqishëm, barazon serinë ndaj Teutës (REZULTATET DHE KALENDARI)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2022 | 10:03

BASKETBOLL MESHKUJ/ Vllaznia rikthehet fuqishëm, barazon serinë ndaj Teutës (REZULTATET DHE KALENDARI)

Vllaznia ka rikthyer baraspeshën në serinë e finaleve të Superligës së basketbollit të meshkujve, teksa mbrëmjen e djeshme ka mundur Teutën në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

Basket meshkuj

Të mbështetur nga një tifozëri e zjarrtë, kuqeblutë e Damian Bekteshit nuk zhgënjyen dhe arritën të merrnin një fitore me shumë vlerë përballë kampionëve në fuqi.

Vllaznia u shfaq dominuese në parket, për ta fituar finalen e dytë me rezultatin e thellë 90-71. Ndërsa nga ana tjetër të besuarit e Melzin Lazimit bënë një ndeshje nën pritshmëritë e tyre dhe tashmë duhet ta rinisin edhe një herë nga e para, duke e shpërdoruar avantazhin e takimit të parë.

NDESHJA – Loja u hap me një kosh për 3 pikë nga Frenki Lilaj për Teutën, të cilit iu përgjigj Dobbs sërish për 3 nga Vllaznia.

Perioda e parë vijoi me rivalitet, ndërsa në këtë fraksion durrsakët patën edhe momentin e tyre më të mirë që ishte një avantazh prej 4 pikësh, 12-16, pas rreth 7 minutash lojë.

Më tej Vllaznia rikuperon dhe e fiton minimalisht periodën e parë 21-20.

Vendësit marrin më shumë zemër në 10- minutëshin e dytë dhe luajnë më mirë se kundërshtari në çdo aspekt, për ta fituar këtë fraksion 31-20, duke shkuar në pushimin mes dy pjesëve me avantazhin e përgjithshëm 52-40.

Vllaznia është më e qartë në lojën e saj edhe në gjysmën e dytë të ndeshjes, teksa i fiton dy periodat e mbetura përkatësisht 18-13 dhe 20- 18, për ta mbyllur me festë takimin. Plot gjashtë lojtarë të Vllaznisë regjistruan dopioshifër pikësh, ndërsa rendimentin më të lartë e pati Butler me 20, i cili dhuroi edhe 11 asiste.

Efikasitetin më të lartë e kishte amerikani tjetër, Dobbs, autor i 14 pikëve, 10 kërcimeve dhe 5 asisteve. Në radhët e Teutës, më i miri ishte Core, protagonist me 20 pikë, 8 kërcime dhe 4 asiste, por që mbetën sa për vlerë statistikore.

Tashmë beteja do të zhvendoset në Durrës, teksa të shtunën në orën 19:00 në pallatin e sportit “Ramazan Njala” do të jetë radha për finale e tretë.

RE

KL

SENAD NIKSHIQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"