BASKET/ Trajneri i Partizanit, akuza gjyqtarëve: Paravendosin ndeshjet, ja çfarë duhet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2019 | 19:56

BASKET/ Trajneri i Partizanit, akuza gjyqtarëve: Paravendosin ndeshjet, ja çfarë duhet

Superliga e Basketbol lit për meshkuj do të zhvillojë sot ndeshjen hapëse të javë së katërt, ku Partizani do të presë në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, kampionët në fuqi të Goga Basket.

arben fagu

Ndonëse është vetëm fillimi i sezonit, atmosfera është e ndezur dhe polemikat nuk kanë munguar. Derbi i Durrësit që u zhvillua javën e kaluar, solli tension, ku Akademia Goga Basket vendosi t’i ndalojë përgjithmonë hyrjen në ambientet e saj Arqile Goreas, presidentit të Teutës. Ndërkohë, nga ana tjetër Gorea shpërtheu në akuza të forta në drejtim të federatës dhe arbitrave. Ai kërkoi që përzgjedhja e arbitrave të bëhet me short e jo me emërim. Së fundmi, për këtë pjesë është shprehur edhe Arben Fagu, trajneri i Partizanit.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Fagu evidentoi faktin që kemi të bëjmë me gjykime shumë të dobëta dhe të njëanshme, që përcaktojnë fituesit dhe ekipin që shpallet kampion. “Më shumë se sa për përzgjedhjen me short, duhet të shikojmë se duhet të gjendet zgjidhja për këto arbitrime ekstreme. Një problem tjetër shumë madh ka të bëj me vendimet që marrin gjyqtarët në fushë, ku vetëm në Shqipëri nuk rishikohen. Merren vendime antiteknike e të palejueshme dhe nuk i kthen askush, ndërkohë që në të gjithë botën rishikohen. Këtu, gjykimi është përcaktues ku dihet përpara se cili ekip del kampion”, deklaron Fagu.

Ai kërkon gjithashtu që të krijohet komisioni teknik: “Këtu mungon komisioni teknik, i cili vlerëson gjykimin. Jemi i vetmi vend ku nuk ekziston ky komision. Pra, këtu gjyqtarët përcaktojnë fatet e njërës apo tjetrës skuadër dhe askush nuk merr vendim ndaj këtyre gjyqtarëve. Edhe në sistemin e kaluar kishim komisione që shikonin gjykimet dhe rastet e diskutueshme. Ju rikujtoj një rast në vitin 1976, kur është anuluar ndeshja Partizani-Tirana vetëm për një vendim teknik të gjyqtarisë së tavolinës. Në vend që të vendosnin tre personale, kishin vendosur katër. Ndërsa tani nuk ka as komision dhe asgjë. Kështu që më tepër se sa shorti, ky është problem më i madh, pasi askush nuk mban përgjegjësi teknike në shkeljet që bëhen”. Më pas, trajneri i Partizanit tregon një episode të ndodhur para dy javësh në ndeshjen me Vllazninë: “Ju drejtova komisarit, i cili më dha të drejtë, ndërkohë që në fund nuk u mor asnjë vendim, por u ndëshkova me teknik, pra u penalizuam me 4 pikë menjëherë në një ndeshje decizive. Unë u dënova dhe pagova edhe gjobën, ndërsa ai bënte karshillëk me qafën përpjetë. Këtu e kuptojmë se ku është niveli i gjykimeve në Shqipëri”, përfundon Arben Fagu.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"