Barazimi me AEK-un, Montela: Luajmë mirë, por paragjykohemi prej humbjeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2017 | 10:41

Barazimi me AEK-un, Montela: Luajmë mirë, por paragjykohemi prej humbjeve

Vinçenco Montela vazhdon të mbrojë punën e tij dhe skuadrën. Edhe në konferencën e djeshme, pas barazimit me AEK-un, trajneri kuqezi vazhdoi me refrenin e takimeve të fundit, të humbura nga Milani. Në lidhje me ndeshjen, ai tha:

Montela

“Mendoj se zhvilluam një ndeshje të mirë, por këto tipe garash nëse nuk i zhbllokon menjëherë, rrezikojnë të komplikohen. Vazhdojmë të ruajmë kreun e grupit, pavarësisht se barazimi dhe paraqitja ndaj AEK-ut penalizohen nga tri humbje radhazi në kampionat. Skuadra luajti mirë, ndaj mund të them se na mungoi vetëm konkretizimi.”

Pavarësisht shkaqeve, kuqezinjtë vazhdojnë të vuajnë dhe Montela mundohet të gjejë shkaktarin dukë deklaruar se: “Për momentin, mungon ajo shkëndija që mund të ndezë zjarrin. Djemtë janë disi të bllokuar psikologjikisht, pasi secili syresh mundohet të tregojë diçka më shumë, si për të justifikuar praninë te Milani.”

Mbi momentin e skuadrës apo cilësinë e saj, Montela nuk ka asnjë dyshim. Trajneri kuqezi u del në krah lojtarëve, për të cilët tha: “Cilësia e lojtarëve nuk është në diskutim. Edhe pse nuk fituam, mund të them se luajtëm mirë. Ndoshta në 45 minutat e para kishim disa paqartësi, por në harkun e 90 minutave treguam se meritonim ndoshta një tjetër rezultat. Futbolli i tillë është dhe duhet të shohim përpara, por dua të përgëzoj djemtë.”

Për sa i përket deklaratës së drejtorit sportiv Mirabeli mbi kohën dhe besimin që klubi po i jep Montela sqaroi: “A e kam ende besimin e drejtuesve? Mendoj se gjithsecili i menaxhon situatat në mënyrën e tij. Me drejtuesit besoj se kam një raport të mrekullueshëm. Me Mirabelin dhe Fasonen asgjë nuk ka ndryshuar, ndaj unë vazhdoj rrugën time i bindur në idetë e mia. Duhet të punojmë së bashku dhe të gjithë në një drejtim pasi vetëm kështu do të kemi rezultate.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"