Ballkani në Kazakistan jo me “flamur të bardhë”, Daja: Astana favorit nga tifozët, kërkojmë fitoren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2023 | 17:17

Ballkani në Kazakistan jo me “flamur të bardhë”, Daja: Astana favorit nga tifozët, kërkojmë fitoren

Ndeshja Astana–Ballkani luhet të enjten në ora 16:30 dhe i takon raundit të katërt të Grupit C të Ligës së Konferencës. Skuadra e Ballkanit synon të kthehet në Kosovë me pikë të plota nga Astana e Kazakistanit. Trajneri i kampionëve të Kosovës, Ilir Daja, ka insistuar se Ballkani ka udhëtuar për fitore në Kazakistan.

ilir daja

Ai në konferencën për shtyp, ka përmendur përparësitë që Astana i ka në duelin kundër ekipit të tij, por ka theksuar se Ballkani në Astana nuk ka udhëtuar me “flamur të bardhë”.

“Nëse bëjmë krahasimin, Astana ka më shumë eksperiencë se ne në garat europiane. Ka më shumë ndeshje ndërkombëtare se ne. Ne jemi për herë të dytë që marrim pjesë në garat europiane. Në udhëtim e kemi më të vështirë, pasi Astana ka në favor klimën dhe mbështetjen e publikut. Prandaj presim ndeshje të vështirë, por nuk kemi ardhur të dorëzuar. Përtej vështirësive edhe ne do të kërkojmë maksimumin në këtë ndeshje.

Sigurisht neve na pëlqen të jemi fitues, por është ndeshje e vështirë. Astana ka ekip goxha të mirë, si në aspektin fizik, ashtu edhe taktik. Por nuk mund të jap përqindje ai që do ta fitoj ndeshjen, sepse futbolli është një sport, jo shkencë ekzakte. Unë përgatis ekipin tim për t’u futur në fushë për ta fituar ndeshjen.

Fusha?

Nuk është problem i madh, pasi edhe ne si vendës luajmë në fushë me bar sintetik. Përparësi do ta kenë vetëm mbështetjen e publikut, por edhe për ne do të jetë mirë, pasi futbolli luhet për publikun dhe ne do të mundohemi ta shfrytëzojmë këtë mundësi”, u shpreh trajneri Ilir Daja.

 

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"