Bajrami ‘vrasësi’ i të mëdhave, fantazisti ka shënuar 8 herë ndaj skuadrave “big” të Serisë A

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2023 | 13:26

Bajrami ‘vrasësi’ i të mëdhave, fantazisti ka shënuar 8 herë ndaj skuadrave “big” të Serisë A

Nedim Bajrami ishte autori i golit të barazimit, që i hapi rrugë Sasuolos të mposhtë Interin dy ditë më parë. Fantazisti i Kombëtares shqiptare po kalon një formë fantastike, teksa edhe në ndeshjet me përfaqësueset ishte një ndër lojtarët më të dalluar në fushë.NEDIM-BAJRAMI

Një pikë në Çeki padyshim që erdhi si meritë e tij. Por, le të kthehemi pak në golat që 24-vjeçari ka shënuar që në momentin kur është aktivizuar në Serinë A. Duke përfshirë edhe Kupën e Italisë, dy klube si Empoli dhe Sasuolo aktualisht, bie në sy se Bajrami është “vrasësi” i skuadrave të mëdha dhe nëse bëjmë një bilanc, janë 8 golat që ai ka shënuar kundër ekipeve me emër në Itali, ndërsa ndaj skuadrave të vogla në total ka gjetur 7 herë rrugën e rrjetës, një gol më pak që tregon se “gjahu” i preferuar për fantazistin janë ekipet kryesuese.

GOLAT- Gjithçka nisi me Napolin para dy vitesh ku gjatë një ndeshjeje Kupe, Empoli u mposht 3 me 2 dhe të dy golat i shënoi Nedimi. Më pas do të ishte Milani. Në 22 dhjetor 2021, mesfushori do të shënonte në portën e Menjasë, edhe pse në fund kuqezinjtë fituan 4 me 2. Nuk kalon shumë kohë dhe brenda janarit të 2022-shit, Bajrami do t’i shënonte Lacios, Interit dhe Romës. “Viktima” e radhës do të ishte Milani sërish, ku në nisje të sezonit të kaluar, ai do të ndëshkonte Tatarushanun. Arrijmë te goli i tetë ndaj të mëdhave dhe ai është ndaj Interit këtë sezon. Deri tani, mesfushori kuqezi nuk ka futur topin në rrjetën e Juventusit, i vetmi ekip që i ka shpëtuar dhe në disa përballje është mjaftuar vetëm me asistin e dhënë. Ndërkaq, shtatë golat e lojtarit të lindur në Zvicër janë kundër ekipeve si: Udineze, Bolonja, Venecia dhe Kremoneze në Serinë A, ndërsa Vinçenca, Verona dhe Kozenca në Kupën e Italisë.

TJETËR BAJRAM NË KOMBËTARE- Nedimi ishte pjesë e grupit të Edi Rejës gjatë kualifikueseve të Botërorit 2022, por edhe pse u aktivizua në të gjitha ndeshjet, minutat ishin tepër të reduktuara për mesfushorin që do të duhet të vuante edhe çështjen e skemës, e cila nuk i përshtatej. Edhe pse ekipi kombëtar zuri vendin e tretë në grup me 18 pikë, Bajrami nuk dalloi me lojën e tij dhe nuk pati mundësi të tregonte potencialin e vërtetë. Në janar të këtij viti në stolin e Shqipërisë u ul Silvinjo, i cili e ka aktivizuar Bajramin për pesë ndeshje, pothuajse aq minuta sa në të gjitha ndeshjet me Edi Rejën. Përveç minutave dhe gjetjen e një skeme tjetër, fantazisti ka qenë edhe protagonist me 3 gola të shënuar deri tani (Moldavi, Ishujt Faroe, Çeki), si edhe një asist. Një rilindje!

hgjgv

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"