Bajerni e thërret, Flik: Emre Xhan më pëlqen shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2020 | 20:42

Bajerni e thërret, Flik: Emre Xhan më pëlqen shumë

Bundesliga, e “çmendur” pas Emre Xhanit. Do të ishte ky titulli më i saktë, duke parë lajmet që vinin nga media gjermane ditën e djeshme dhe interesimin që sa vjen e shtohet në këto ditë të fundit merkatoje për juventinin.

EMRE CAN

Mesfushori i kombëtares gjermane mund të largohet nga Torino në këto orë të fundit tratativash, për të vazhduar karrierën dhe për të gjetur minutazhin në Bundesligë. E para që është interesuar për të marrë shërbimet e lojtarit është Borusia e Dortmundit dhe kjo nuk është më një çudi. Por oferta e verdhezinjve u refuzua nga drejtuesit e skuadrës bardhezi, pasi sipas tyre ishte jo e mjaftueshme për ta lënë të lirë mesfushorin. Hans-Joakim Vacke, shefi i klubit të Dortmundit, kishte ofruar 20 milionë euro për Emre Xhanin, por italianët mund të ulen në bisedime vetëm për 35 milionë euro e sipër. Më pas ishte Lajpcigu, kryesuesja e kampionatit gjerman, ajo që provoi, por kërkesa e tyre nuk u mor fare në konsideratë nga Juvja, pas vetë Emre Xhan nuk pranon të luajë aty.

Së fundmi është bërë “i gjallë” edhe Bajerni i Mynihut dhe këtu mund të ndryshojnë gjërat… Kampionët e Gjermanisë kanë nisur ta vlerësojnë në orët e fundit seriozisht si mundësi reale afrimin e mesfushorit, duke bërë gati edhe një ofertë reale për Juventusin. Marrëdhënia midis dy klubeve është shumë e mirë dhe kjo mund të jetë një shtysë për kalimin e Xhanit në Bavari. Dëmtimi i Martinezit ka bërë që skuadra e drejtuar nga Hansi Flik të kthejë kokën nga mesfushori i “Zonjës së Vjetër” dhe madje, vetë trajneri i skuadrës nga Mynihu e pranon hapur. “Xhan është një lojtar që mund të luajë kudo falë kualiteteve që ka. Çdo skuadër do të donte të kishte në grup një mesfushor si Emre, por merkaton këtu e bëjnë të tjerë dhe jo unë”, tha trajneri bavarez. 26-vjeçari Xhan ka dalë prej kohësh nga planet e trajnerit Mauricio Sarri dhe si rrjedhojë ka kërkuar largimin nga kampionët e Italisë, të cilët janë dakord që futbollisti të gjejë një skuadër tjetër, por vetëm nëse plotësohen kushtet e tyre ekonomike.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"