Bajaziti, mbrojtësi bomber që i hoqi titullin Partizanit nga… “dushi”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2017 | 21:11

Bajaziti, mbrojtësi bomber që i hoqi titullin Partizanit nga… “dushi”

Traditë familjare, ndër më të njohurat jo vetëm në Kavajën e shumë dinastive sportive, por edhe në Shqipëri. I talentuar, konkurron dhe Zyber Konçi e pëlqen. Pastaj shkollimi me urdhër të Iljaz Rekës, vitet me Shkëndinë, rikthimi te Besa dhe dëshira e parealizuar e Dinamos për ta veshur blu. Futbollist universal, që vetëm portier nuk ka luajtur. Golat e paharruar, publiciteti në “Francë Football” dhe reagimi popullor kavajas për të mos u larguar. Biografia, kombëtarja deri te biznesi pasioni i Dashnor Bajazitit.

bajaziti1

Një formacion i Shkëndijës, majtas në këmbë: Burda, Gëzdari, Sevo, Bajaziti, Luarasi, Starova. Ulur majtas: Meçe, Kushe, Bifsha, Miho, Arra

RRUGËTIMI SPORTIV NË MOSHË TË VOGËL

I datëlindjes 1955, rrugëtimi sportiv i Dashit merr udhë në shkollën “24 Maj”, ku nxënësi Bajaziti është aktiv dhe në klasën e 5-të, ende pa qenë pionier dallohet e veçohet nga trajnerët Dh. Dimroçi, H. Gërmeni, A. Felai e A. Merhori. I luan të gjitha disiplinat: Atletikë 10-garësh, kërcim së gjati, vrapues i distancave 100 m dhe 1500 m, por edhe në basketboll, volejboll. Edhe në kampionatin e shkollave ku përfshihet rrethi i Durrësit, Kavaja, Shijaku, Durrësi shquhet në futboll. Dallohet në Spartakiadën e pionierëve që zhvillohet në Lezhë në vitin 1968. Është 13 vjeç, aktivizohet në futboll me të rinjtë ku trajnerë janë F. Zhelegu, I. Dobiani, ndërkohë që Besën e madhe e drejton Zihni Gjinali.

TE MJESHTËRIA, “PA KONKURRIM”

Korrik i vitit 1969, ka ardhur në Tiranë dhe konkurron për t’u futur në Shkollën e Mjeshtërisë në Futboll që ka një vit që është hapur. I shoqëruar nga B. Ylviu dhe me rekomandim të Hasan Gërmenjit, është paraqitur para komisionit të konkurrimit, i cili përbëhej nga figura të shquara e të mëdha të futbollit. E kemi fjalën për trajnerë e specialistë si Z. Konçi, M. Ndini, M. Papadhopulli, Th. Jançe, M. Alla etj. Vetëm gjuajtje në portë, pastaj disa zhonglime. “Nuk ke nevojë për tjetër gjë, nga vjen dhe kush je? – e pyet Konçi, duke e ndërprerë të vazhdojë testin. – Konkursin e ke fituar, ik interesohu në rrethin tënd që të të japin të drejtën të vish në shkollë, pasi duhet opinion dhe aprovimi i tyre”.

bajaziti4

Me të rinjtë e Shkëndijës; djathtas, trajner. Ishka, D. Kushe, Bajaziti

VËSHTIRËSIA PËR SHKOLLË, NDËRHYN ILJAZ REKA

Pati vështirësi, pasi Kavaja e refuzoi arsimimin e tij. Por me porosi të Iljaz Rekës, Kryetar i Komitetit të Rrethit të Durrësit, më 16 tetor Bajaziti shkoi në Tiranë, ndonëse me vonesë, pasi shkolla kishte filluar më 1 shtator. “E takova vetë Iljaz Rekën kur ai erdhi në Kavajë, pastaj i shkova në zyrë dhe pasi tregova rastin, ai u lidh me Kavajën dhe më ndihmoi, – tregon Bajaziti për “Panorama Sport”. – Dy vitet e para në Mjeshtëri i kam me M. Allën, B. Ishkën dhe në kursin tim kisha Luarasin, Bifshën, A. Toqin, Qipon. Jetoja në konvikt.

Pastaj me të rinjtë ku luajnë D. Gëzdari, Luarasi, Konomi, P. Vako, Paçrami, Hafizi, M. Fagu, B. Çela. D. Kushe, G. Sherko etj. Stërviteshim dy herë në ditë, në mesditë me Th. Jançen, ndërsa paradite me Myslym Allën”. Shkëndija kishte dy skuadra me të rinj, njëra që luante në Kategorinë e Dytë, tjetra në të Parën. “Në sezonin 1970-1971 isha me të rinjtë e Kategorisë II, pas një viti në Kat I gjithmonë te të rinjtë. Pastaj me ekipin e të rriturve të Shkëndisë në Kategorinë e Dytë për të qenë titullar me skuadrën e parë në janar të 1973, që luante në Kategorinë e Parë”, rrëfen Bajaziti.

NDESHJA E PARË KUNDËR ÇEÇOS

Takimi i parë regjistrohet në një ndeshje miqësore: Shkëndija- Dinamo, ka luajtur kundër Iljaz Çeços, te fusha e shkollës dhe 0- 0. Nga ajo ndeshje ikën nga të rinjtë dhe luan me skuadrën e parë të Shkëndisë, ku janë trajnerë Z. Konçi e Sh. Rreli. Stoper me qendërmbrojtësin Gurma, L. Curin, B. Hushin, Sh. Kurtin, P. Gjonin, A. Hoxhën, V. Ajazin. Nga takimi me Dinamon aktivizohet rregullisht, në të gjitha pozicionet mbrojtëse, i djathtë, i majtë, në qendër, sidomos në veçanti kur lojtarët titullarë dilnin në sulm, apo kur Gurma e Çuri luanin në mesfushë.

bajaziti3

E PËLQEN BOLONESKU DHE DINAMO

Viti 1973, qershor… Grumbullohet ekipi Shpresa me trajner Zyber Konçin, takimi miqë- sor me Algjerinë, në “Qemal Stafa”, Bajaziti luan mbrojtës i djathtë. Pas një viti në Tiranë vjen një specialist dhe njëkohësisht trajner, rumuni Bolonesku, i cili e merr në kombëtare Bajazitin, duke e aktivizuar në dy pozicione: mbrojtës i djathtë dhe i majtë përballë Jani Kaçit, e në krah të Berishës, Sejdinit, M. Vasos, Gurmës, Përnaskës.

Ndërkohë, mbaron të mesmen e Mjeshtërisë dhe fillon ILKF-në “Vojo Kushi”, të cilin e përfundon në vitin 1977. E emërojnë mësues në shkollën 8-vjeçare “Fiqiri Kurti” në Kavajë. E gjen Besën në të Dytën dhe atë vit e ngjit në të Parën, pretendentë për kampion, e treta në kampionat, me trajner H. Gërmenji e futbollistë si Arkaxhiu, Qerolli, Mullaliu, Allaj, Zyla, Shtini e Bishtaja, ky i fundit vëllai i tij. Ndërkohë, ka një interesim në heshtje nga klubi i Dinamos për të.

REAGIMI POPULLOR KAVAJAS PËR TA MBAJTUR

Vazhdonte në Kavajë, titullar me Besën tashmë, por Dinamo ka kohë që e ndjek dhe kërkon ta bëjë futbollist të klubit, deri në ndërhyrje nga zyrtarët e lartë të dikasterit. Kishin hetuar dhe biografia e Bajazitit ishte OK. Por ka reagim të ashpër nga opinioni kavajas. Vërshojnë letrat për udhëheqës të Partisë në Rrethin e Durrësit deri tek anëtarë të Byrosë Politike.

Situata vështirësohet dhe përfaqësues të partisë së rrethit i dërguan kërkesë Ramiz Alisë e Adil Çarçanit, duke filluar nga Kryetari i Komitetit, Sekretari i Parë i Rrethit të Durrësit që Bajaziti të mos largohej nga Besa çka e frenon klubin kryeqytetas të këmbëngulë. Ndonëse Dinamo do ta merrte si përforcim ndaj Ajaksit, Bajaziti do ta mbyllte karrierën futbollistike me skuadrën e qytetit të tij pa mundur të transferohet te blutë.

bajaziti

BISHTAJA-BAJAZITI, VËLLEZËR NDRYSHE TE BESA

Nga i pari, doktori Lirimi qendërsulmues me Besën deri në vitin 1962 kur vjen në Tiranë për studime në Fakultetin e Mjekësisë, Xhemili dhe Dashnori me djalin Darien, bashkë me nipërit të gjithë futbollistë. Por, rasti i dy vëllezërve me mbiemra të ndryshëm është i rrallë. Xhemil Bishtaja protagonist me Besën e famshme të viteve ’70, skuadra e parë shqiptare që kaloi turin e parë të Kupave në Europë. Pastaj Dashnor Bajaziti, titullar, goleador i Shkëndisë e Besës, i kombëtares. Bashkë te Besa kanë qenë në formacion në tre kampionate ’77-’80, por me mbiemra të ndryshëm. “Ishte biografia që e kishte detyruar Xhemilin të ndryshonte mbiemrin, – tregon Bajaziti. – Ndërsa unë jo dhe ky problem më ka ndjekur për shumë vite të karrierës”.

KAMPIONË TË BALLKANIT ME GOLAT E TIJ

1978, lojtar i përfaqësueses Shpresa që fiton në “Qemal Stafa” titullin kampion të Ballkanit duke mundur 7-1 Rumaninë. Bajaziti e Ballgjini, ndonëse mbi moshë janë marrë si përforcim, pasi lejohej nga rregullorja e aktivitetit. Nëse në Rumani kishte luajtur si mesfushor, në atë ditë dhjetori plot ngricë të Bukureshtit (3-1 për rumunët). Në Tiranë, pas dy javësh, Shyqyri Rreli e aktivizoi si qendërsulmues dhe në këtë zgjedhje taktike ai nuk kishte gabuar. Bajaziti realizon një tregolësh të jashtëzakonshëm e historik (të parin, të tretin e të katërtin) duke marrë edhe penalltinë e golit të dytë shënuar nga pika e bardhë prej Ballgjinit. Dhe Shqipëria Kampione e Ballkanit, një triumf i madh sportiv.

KUNDËR AJAKSIT DHE ARNESENIT

Luan me Besën, është në kombëtare, merret si përforcim edhe nga Dinamo në takimin për Kupën e Kampioneve ndaj Ajaksit, skuadër me famë që vjen për herë të dytë në Shqipëri. Ishte një dëshirë e hershme e klubit, që u aprovua nga trajneri Dauti e bashkë me Bajazitin merret edhe mbrojtësi Kreshnik Çipi i Flamurtarit.

“Ka qenë një javë e vështirë për mua, – kujton Bajaziti për “Panorama Sport”. – Ishim të grumbulluar te ‘Plepat’, kishte shumë mushkonja dhe netëve rrinim pa gjumë, temperaturë e lartë që vinte nga tavani me soleta. Javën e fundit, pasi u ankuam, na dërguan në hotel ‘Vollga’ në Durrës”. Gjatë 90 minutave ka luajtur ndaj Arnesen, një duel i vështirë pasi ai ishte lojtar shumë i përgatitur, teknik, i kudondodhur dhe njeriu kyç i skuadrës. Ishte ai që realizoi dy gola në pjesën e dytë. Luajti në formacion edhe në Amsterdam, një ndeshje pa shumë histori, ndonëse u mbyll vetëm 1-0 për holandezët.

bajaziti5

Dinamo-Ajaks, nga e majta: Çoçoli, Targaj, Bregu, Çipi, Ballgjni, Përnaska. Ulur majtas: Zëri, Hazbiu, Luarasi, Bajaziti, Marko

LOJTAR I GJITHANSHËM, UNIVERSAL

Gjatë karrierës ka luajtur kundër dhe me futbollistë kalibri të kohës. Nuk ka pyetur dhe nuk ka pasur vështirësi nga terreni, koha, as nga forca apo fiziku i kundërshtarit. Energjik, teknik, i fortë, i palodhur gjatë 90 minutave, një lider i vërtetë në skuadër, i adhuruar nga tifozeria. Frikën nuk e ka njohur, as emrin e madhështinë. Bajaziti ka qenë një futbollist universal duke luajtur në çdo pozicion. Nga mbrojtës, në mesfushë dhe në sulm, vetëm portier jo.

Në vitin 1974, Shkëndija tashmë e kishte mbyllur ciklin dhe lojtarët, ata që i dhanë emër, ishin larguar në klubet e qyteteve të tyre dhe formacioni i shkollës ka mbetur në duart e brezit pasardhës, me Bajazitin në krye. Skuadra nuk ka sulmues, pasi Ballço, Bulku, Sulaj nuk janë më. Në Durrës, ndaj Lokomotivës, për takimin vajtje të Kupës së Republikës, trajneri e vendos qendërmbrojtës dhe 1-1. Pastaj 0- 0 në Tiranë dhe durrsakët eliminohen. Ndeshja e radhës: në Shkodër kundër një Vllaznie të fortë me Hafizin, Bizin, Zhegën, Shkëndija barazon 0-0:

Luan sërish në mbrojtje me Starovën stoper. Gjatë rrugës në kthim, të ulur në tren, ndërsa diskutojnë ai si kapiten, trajneri Rreli, mjeku Heqimi dhe Komisari Vargu për vështirësinë që ka skuadra në vijën e sulmit, vjen ideja surprizë… “Nisur nga aktivizimi im si sulmues te të rinjtë e Besës, Shkëndisë i propozoj që të luaj në sulm”, kujton Bajaziti. Nisur nga ky fakt, në takimin e kthimit, Shkëndija ka tjetër strategji: Bajaziti luan në sulm, realizon dy gola dhe triumf 2-0 ndaj Vllaznisë. Nga ky takim, kur skuadra luante në transfertë, Bajaziti aktivizohej në mbrojtje, ndërsa për ndeshjet e Tiranës vendosej në sulm.

Përjashtim bëhej kur përballë kishte skuadra të forta, që rikthehej në mbrojtje. Kujton ende një moment pikant: “Në ‘Qemal Stafa’, Dinamo-Besa, në rivalitet për kreun, është minuta e 88-të kur vendasit ekzekutojnë një rivënia anësore. Ishte një moment hezitimi dhe neglizhence, e ndonëse luaja me kujdes ndaj tij, ai çast i ka mjaftuar Llaq Zërit të pambuluar ta stopojë me gjoks topin dhe me një parabël të saktë mbi Arkaxhiun të shënojë golin e fitores”, tregon Bajaziti.

GOLEADOR, NË FAQET E “FRANCE FOOTBALL” DHE TEK “YLLI”

Ka qenë disa herë goleadori i kampionateve, madje ne tri të tilla. I pari ishte ai i sezonit 1978 me 34 gola, i dyti në vitin 1979 me 17 dhe i treti në 1980 me 27 gola. Tre herë i dyti dhe katër herë në vendin e tretë, gjithmonë si lojtar i Besës, kur në elitën shqiptare janë Zëri, Ballgjini, Dibra, Përnaska, Llambi, Zhega, Murati.

Nga golat e shënuar, dy janë ata që i ndan nga të tjerët: Viti 1976, Shkëndija-Naftëtari 2-0. Ishte terren i rënduar, shi gjatë ndeshjes, por ka realizuar nga mesi i fushës, me një gjuajtje nga 40 metra, nga porta jugore e stadiumit; pastaj takimi miqësor Shqipëri-Francë me ekipet Shpresa në tetor të ’80: 2-2 ndaj francezëve ku luante Tigana. Ka shënuar me një gjuajtje të stilit të tij, nga një largësi 30 m, nga porta jugore ka barazuar shifrat. Ishte “France Football” që pas ndeshjes shkruante:

“Ekipi Shpresa i Shqipërisë shfaqi një futboll premtues, ku u dallua Bajaziti, një qendërsulmues mjaft teknik, Gega një stoper i fuqishëm dhe Kola një sulmues i majtë i shpejtë…”. I famshëm dhe me emër kur luante me Besën, protagonist i kampionateve, ka qenë motivi që e ka nxitur gazetarin Josif Doja të realizojë një artikull te revista “Ylli”, dedikuar karrierës së tij. Në vitet që luajti, ka mbajtur disa numra: 14-ën kur luante në sulm duke imituar Krujfin e kudondodhur; pastaj fanellat me nr. 5 dhe 3 kur aktivizohej në mbrojtje si Bekenbauer e Brajtner. Pëlqente lojtarët me fantazi, sidomos stilin Panienka në “goditjet lugë”.

GOL NGA DUSHI ME “URDHËR”

Ndeshja e paharruar me Partizanin në Kavajë, në një stadium të mbushur plot. BesaPartizani 0-1 pjesa e parë, me dëshirën që të kuqtë ta fitojnë takimin pasi ishin pretendentë për titullin kampion dhe kjo ishte java e fundit. Në pushim të ndeshjes, Bajaziti ka kërkuar zëvendësim dhe Bet Via e ka zëvendësuar. Është futur në dush, e ndërsa po fshihej me peshqir, në dhomën e lojtarëve futen disa persona që e urdhërojnë të rifutet në lojë pasi është porosi e Muho Asllanit…

“Po nuk luajtët, nuk morët pikë e keni punën pisk”, e patën kanë kërcënuar ata. “I detyruar, u zhvesha dhe para fillimit të pjesës së dytë u them lojtarëve të Partizanit për situatën e krijuar”, thotë Bajaziti. Minuta e 84-ët, arbitri jep një goditje dënimi dhe nga një distancë 27 metra, ai ka shënuar nga porta e kishës dhe rezultati shkoi 1-1. Titulli kampion i sezonit 1982-1983 i kaloi Vllaznisë. Por edhe ndaj shkodranëve ka një episod: Ndeshja e parë e kampionatit, 4-1 për vendasit në “Vojo Kushi”. Faza e dytë, sfida e kthimit, 4-1 triumfojnë kavajasit me dy gola të Bajazitit, që në këtë takim luante mbrojtës i djathtë duke mbuluar Luçin e fuqishëm. Kjo ishte edhe një nga ndeshjet e rralla të karrierës së tij.

bajaziti6

Bajaziti me Besën

KARTON I KUQ ME URAN XHAFËN

Ka vetëm një të tillë dhe këtë e ka marrë në Tiranë. Sezoni 1976-1977, Bajaziti ka një periudhë katërmujore dëmtimi, pasi ka thyer këmbën, qëndron mbi paterica dhe Shkëndija koleksionon 11 rezultate negative radhazi. Rikthehet në formacion e në stadiumin “Dinamo”, luajnë Shkëndija-Flamurtari, 1-0 gol nga një goditje dënimi të Bajazitit. Në një moment të lojës, Uran Xhafa i ka ndërhyrë ashpër, por Bajaziti ka kërcyer duke shmangur agresivitetin e ndërhyrjes. Situata është tensionuar, i nevrikosur Bajaziti ka reaguar, duke tentuar ta godasë me taka në gjoks Xhafën, por kur ka parë arbitrin Namik Jareci me dorën në xhep duke vrapuar drejt tij, i ka thënë: “Mos ma nxirr të kuqin se do dal vetë nga fusha…”.

NË KOMBËTARE, NJË KALVAR PA FUND

Ndonëse është kampion i Ballkanit me Shpresat, në vitet ’78-’80, kur është edhe në formë, por nuk grumbullohet me ekipin kombëtar pasi ka pengesë biografinë. Ndërkohë, Dinamo i mbyll përfundimisht tentativat për ta marrë, ndonëse në vitin 1980 gjërat sqarohen dhe tashmë akuza se është nipi i Kont Ferrës dhe ka një xhaxha të larguar para lufte për në Itali nuk janë më pengesë.

Thirret në përfaqësuese dhe në shtatorin e ’80-ës, në “Qemal Stafa”, Shqipëri Finlandë 2-0, trajner Konçi e aktivizon si rezervë në pjesën e dytë në vend të Mingës. Luan në tetor Sofje në krah të Brahos e Përnaskës (2-1 për bullgarët), pastaj në nëntor në 90 minutat vjeneze, Austri-Shqipëri 5-0, por jo në takimin e Tiranës, 0-1 për austriakët. 1981 që shoqërohet me një periudhë të gjatë pauze, pasi në kombëtare është rikthyer Loro Boriçi dhe asnjë ndeshje për Bajazitin me fanellën kuqezi, në 4 takimet që zhvillon ajo.

Në 1982, në krye të pankinës caktohet një tjetër ish-shkëndijas: Shyqyri Rreli e bashkë me të në përfaqësuese vjen edhe Bajaziti. E fillon si titullar në shtator, Austri-Shqipëri 5-0, por zëvendësohet nga Muça në pjesën e dytë. Nuk është në Izmir, Turqi-Shqipëri 1-0, as në “Qemal Stafa” Shqipëri-Irlanda V. 0-0, për t’u rikthyer ndaj një skuadre gjigante: mars 1983, në “Qemal Stafa” zbret RF Gjermane me Shumaker, Brigel, H. Myler, Rumenige, Voller, Litbarski. Bajaziti luan vetëm 30 minuta dhe zëvendësohet nga Ilir Lame, një sfidë që mbyllet 1-2 për gjermanët. Këtu përfundon aventura e Bajazitit me përfaqësuesen: 5 ndeshje, 4 si titullar dhe 1 rezervë.

bajaziti2

Shqipëri-RF Gjermane 1-2. Nga e djathta: Targaj, Musta, P. Ruci, H. Ballgjini, A. Ahmetaj, L. Vukatana, F. Rragami, A. Bimo, D. Bajaziti, A. Minga, A. Kola (Foto: N. Baba)

VITET NË STOL, BIZNES E QEVERI

Vitet që pasuan, pasi u shkëput nga futbolli i luajtur, pa u bërë asnjë ceremoni simbolike, u ul në stolin e Besës. Fillimisht si zv/trajner në vitin 1986 me Skënder Dedjën, por pas humbjes në javën e parë me Apoloninë, Dedja largohet dhe drejtimin e skuadrës e merr Bajaziti. Dy vite si ndihmës i Zhegës me ekipin kombëtar Shpresa, ndërsa te Besa qëndroi tre sezone për t’u zëvendësuar nga Fatmir Frashëri, kohë kur edhe u shkëput krejtësisht nga futbolli.

U lidh me biznesin, që është pasioni i parë i tij, të cilin e administron bashkë me të afërm. Kudo që shkon, ka njohje prej famës që ka lënë pas. Pastaj, në qeveri, si shumë sportistë të tjerë nga Fagu, Zaçe, Zhega, Kateshi, Stërkaj, Bare, Dimraj, Ylli edhe Bajaziti u bashkohet legjendave që u bënë politikanë. Nga fëmijët, vajza është laureuar në “La Sapienza” të Romës, ndërsa djali, Darien, u aktivizua si futbollist me Besën, por të mbash mbi kurriz famën e babait nuk është e lehtë. Një histori kjo për të gjithë trashëgimtarët.

Nga UVIL ZAJMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"