Atletikë, Smajlaj “kërcen” 2020-ën: Për medalje në Europian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2020 | 22:28

Atletikë, Smajlaj “kërcen” 2020-ën: Për medalje në Europian

Pas një viti të nisur në mënyrë fantastike, sezoni për Izmir Smajlajn u kushtëzua nga pandemia dhe problemet fizike. Megjithatë, rekordmeni i kërcimit për së gjati tashmë gëzon një formë të shkëlqyer. Në një prononcim për “Panorama Sport” ishkampioni i Europës bën bilancin e sezonit dhe rrëfen objektivat, ku fokusi kryesor për të mbetet Kampionati Europian, atje ku beson se do të arrijë medaljen e artë. VITI 2020 Izmir Smajlaj fillimisht bën bilancin e vitit 2020, që për të nisi mjaft mirë, por më pas u kushtëzua nga dëmtimet dhe pandemia: “Këtë sezon e fillova mbarë, me 4 gara të fituara në muajt janar dhe shkurt. Isha në formën time më të mirë fizike dhe me rezultatet më të larta se çdo vit dhe sigurisht isha pretendent për Europian. Siç dihet më pas pata një dëmtim në gju, ku operova meniskun. Por për fat të mirë u shtynë të gjitha garat e rëndësishme ndërkombëtare, si europiani, botërori apo olimpiada. Kështu që tani e gjithë vëmendja ka kaluar për vitin e ardhshëm”.

izmir-smajlaj

STËRVITJA NË BULLGARI

Disa ditë më parë Smajlaj u kthye nga Bullgaria, aty ku zhvilloi edhe një minifazë përgatitore, të cilën atleti e tregon kështu: “Shkuam në Bullgari së bashku me trajnerin Ruli, pasi siç dihet në Tiranë ende nuk ka një sallë të mbyllur për t’u stërvitur. Përgatitjet shkuan shumë mirë. Në fakt ne duhet të qëndronim 3 muaj, por për shkak të gjendjes së rënduar me virusin COVID19 edhe atje u mbyll gjithçka deri më 21 dhjetor, e kjo bëri që të kthehemi më shpejt. Megjithatë, shpresoj që të shkoj përsëri në fillim të janarit”.

DËMTIMI DHE OBJEKTIVAT

27-vjeçari ka pasur një sezon të shoqëruar me disa probleme fizike, ku operacioni i bërë në menisk i kushtoi edhe mospjesëmarrjen në garat kombëtare. Megjithatë, Smajlaj bën të ditur se tashmë e ka lënë pas krahëve dëmtimin dhe se gëzon një formë shumë të mirë. Tashmë ai është i fokusuar tek objektiva të rëndësishëm duke nisur që nga Europiani: “Jam rikuperuar 100% dhe ndihem mjaft mirë fizikisht. Pretendoj për medalje në Kampionatin Europian që do të mbahet pranverën e ardhshme. Objektiv mbetet edhe Kampionati Botëror, por kjo garë ende nuk është zyrtarizuar. Gjithashtu, synoj finalen edhe në Lojërat Olimpike, ku edhe pse ende nuk e kam kapur normën, pretendoj që ta arrij që në garën e marsit. Megjithatë, objektivi kryesor për mua mbetet medalja e arit në europian”.

smajlaj

PREMTIMET E RULIT

Duke parë formën e shkëlqyer të Smajlajt, trajneri i tij, Gjergj Ruli, i cili është njëkohësisht edhe president i Federatës Shqiptare të Atletikës ka bërë premtime bombastike për rezultatet e shkodranit. Ruli është shprehur se Smajlaj do të tronditë me kërcime fantastike mbi 8.3 metra. Atleti shkodran i komenton kështu deklaratat e trajnerit: “Në fakt, është e vërtetë, pasi jam në një formë shumë të mirë. Por siç dihet gara kërkon edhe pak fat. Kushtet m’i kanë krijuar të gjitha si nga federata, Komiteti Olimpik apo Bashkia Tiranë. Tani shpresoj të kem edhe fatin me vete dhe të mos kem dëmtime. Bëhet fjalë për një garë që vendoset nga detaje të vogla, ku janë vetëm tri kërcime për të shkuar në finale. Synoj që të arrij rezultatin 8.28 apo 8.30 që do të më bënte pretendent në të gjitha garat. Në fund dua ta falënderoj trajnerin Ruli, pasi më ka qëndruar gjithnjë pranë. Gjithashtu, dua të falënderoj edhe klubin Tirana së bashku me drejtoren Deborah Keçi për trajtimin që na kanë bërë ne sportistëve elitarë”, përfundoi Smajlaj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"