Asnjë shans për Longon, “lumë” kandidatësh për stolin/ Nga Duro te Çela e Memelli, ja emrat në tavolinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2023 | 20:40

Asnjë shans për Longon, “lumë” kandidatësh për stolin/ Nga Duro te Çela e Memelli, ja emrat në tavolinë

Diego Longo nuk do të jetë më trajner i Flamurtarit. Dështimi i misionit “Superiore”, zeron shanset për qëndrimin e italianit. Megjithëse e mori skuadrën në javët e fundit, kushti ka qenë i qartë: ngjitja në elitë. Gjë që nuk u arrit as direkt dhe as nëpërmjet “play out”-it, ndonëse kishin një buxhet milionerësh. As klubi dhe as trajneri nuk kanë dalë me një deklaratë zyrtare për “divorcin”, të paktën deri tani.

longo

Por “Panorama Sport” zbulon se kapitulli “Longo” te Flamurtari tashmë është mbyllur. Edhe pse tekniku solli një tjetër frymë në ekip, në fund nuk rezultoi e suksesshme.

Rezultatet flasin për një dështim sezonal. Në këto kushte rrugët nuk kanë se si të bashkohen sërish. Gazeta mëson se të hënën Sinan Idrizi i ka shpërndarë pagën e fundit Longos dhe stafit të tij, duke u uruar pushime të mbara. “Pushime të mbara! Kemi nevojë për reflektim…”

Këto mësohet se kanë qenë fjalët e presidentit për trajnerin. Por pavarësisht se mungoi që “lamtumira” të thuhej në sy, ajo tashmë është e pashmangshme. Drejtuesit nuk e shohin italianin si timonier për skuadrës e sezonit që vjen, i cili do të jetë i dyti radhazi në Kategorinë së Parë dhe i katërti larg elitës.

KANDIDATËT – Burime zyrtare pranë Klubit të Futbollit Flamurtari, konfirmojnë për “Panorama Sport”, se kanë nisur lëvizjet për trajnerin e ri. Nuk do të jetë një çështje që do të zgjasë shumë, madje duan që ta zgjidhin sa më shpejt që të jetë e mundur.

Gjasat janë që në nisje të javës që vjen, Flamurtari të ketë emrin e trajnerit të ri, i cili do të nisë më pas edhe punën për ndërtimin e skuadrës. Në tavolinën e Sinan Idrizit deri më tani janë shtatë kandidatë, po që lista mund të shtohet ditaditës. Bledar Devolli është një opsion.

Gjirokastriti ka drejtuar disa ekipe në Shqipëri dhe së fundi e mbylli me Drenicën në Superligën e Kosovës. Klodian Duro po ashtu, që më parë ka drejtuar Lushnjën, Feronikelin, Luftëtarin, Kamzën dhe Kukësin. Në Vlorë përflitet edhe Migen Memelli, ish-trajneri i Skënderbeut. Për stolin e kuqezinjve po diskutohet edhe një tjetër ishfutbollist, Artim Pollozhani.

Ish-kapiteni ishte kandidat edhe për të zëvendësuar që kur iku Marcelo Troisi, por më pas zgjodhën Diego Longon. Në tavolinën e presidentit është edhe emri i Emiljano Çelës, trajneri i Kastriotit. Gazeta mëson se nga persona të tretë, Sinan Idrizit i është sugjeruar edhe Veljko Dovedan, që mbylli sezonin tek Apolonia. Tashmë çdo gjë është në dorën e kreut të klubit që të vendosë “timonierin” e ri.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"