Asgjë gol në 3 ndeshje, Shqipëria i mbyll kualifikueset e Europianit në vendin e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2017 | 9:39

Asgjë gol në 3 ndeshje, Shqipëria i mbyll kualifikueset e Europianit në vendin e fundit

Skuadra kombëtare e të rejave të Shqipërisë më në fund ka marrë dhe pikën e parë, por pa arritur të dalë te goli, duke dështuar totalisht në ndeshjet kualifikuese për Europianin “Zvicër 2018”, duke mbyllur me zero pikë aventurën europiane në grupin e 4-t. Është kualifikuar për më tej Spanja 2 herë kampione (në Finlandë më 2004 dhe në Irlandën e Veriut më 2017) pas fitores së tretë radhazi dje në Kamzë ndaj skuadrës ukrainase 4-0.

femrat u19

Gjithashtu u kualifikua dhe Azerbajxhani, që i mjaftoi ky barazim me Shqipërinë për t’u renditur i dyti. Skuadra jonë kombëtare për të reja, Shqipëria U-19, më në fund arriti të marrë një pikë në ndeshjet kualifikuese të Europianit për moshat deri në 19 vjeç, pasi barazoi 0-0 me Azerbajxhanin në ndeshjen e fundit të grupit që u zhvillua dje, në ora 14:00, në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës.

Skuadra, që drejtohet nga trajneri Nevil Dede, iu afrua fitores, por nuk mundi të marrë më shumë se një barazim pa gola, sepse edhe azerbajxhanaset luajtën bukur dhe mirë. Lojtaret tona vinin në këtë sfidë pas dy humbjeve të thella, respektivisht ndaj Spanjës 0-8 dhe Ukrainës 0-5, ndaj në një mënyrë ose në një tjetër kërkohej patjetër mbyllje me “nder” e këtyre takimeve.

Alb-Azer

Fillimi i ndeshjes është disi më i mirë për lojtaret tona, të cilat me entuziazmin e fillimlojës kërkojnë që të ndërmarrin iniciativa sulmuese dhe të zhvendosen drejt zonës kundërshtare. Vetëm kaq, pasi nuk ka ndonjë rast për t’u shënuar, për më tepër që edhe kundërshtaret azere fillojnë e duken në zonën e ekipit tonë, por pa kërcënuar seriozisht.

Loja nuk ka shumë ritëm dhe për disa minuta asnjëri nga ekipet nuk sjell rreziqe serioze drejt portave respektive. Rivaliteti për të shënuar ishte i pakët. Goditjet standarde shndërrohen në rreziqe më të mëdha për të dy ekipet, por herë pasaktësia e sulmueseve, e herë neutralizimi prej portiereve, bëjnë që shifrat të mbeten 0 me 0.

Shqiperia U19 femra, renditja

Në këtë pjesë loje pati edhe një pretendim të skuadrës sonë për një 11- metërsh si pasojë e prekjes së topit me dorë nga futbollistja azere, Sejfatdinova. Pjesa e dytë e gjen sërish skuadrën shqiptare në sulm. Uendi Muja, një nga më të lëvizshmet dhe më të mirat e ekipit tonë, kthehet në rrezik konkret për portën azere.

Kapitenia kuqezi provon përmes dy goditjeve të dënimit, por pa mundur ta dërgojë topin në rrjetë. Loja e azereve bie ndjeshëm dhe, si pasojë, shtohen edhe gabimet e tyre. Kjo solli edhe një numër të madh kartonësh të verdhë për to.

Ndërkohë skuadra jonë, nën presion e vazhdueshëm për të shënuar, ka hasur në rezistencën e portieres azere, e cila ishte në një ditë mjaft të mirë. Gjithçka u mbyll me rezultatin e bardhë 0-0 dhe Shqipëria U-19 nuk arriti të shënonte qoftë dhe një gol të vetëm në këto kualifikuese.

ROLAND GJINI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"