“Arrijmë synimet e drejtuesve”, Ilirid Ademi: Nuk u mendova shumë për Egnatian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2022 | 11:55

“Arrijmë synimet e drejtuesve”, Ilirid Ademi: Nuk u mendova shumë për Egnatian

Përforcimi i fundit për Egnatian ishte sulmuesi Ilirid Ademi, i cili pjesën e parë të kampionatit luajti te Laçi. Ai ka firmosur kontratë për një sezon e gjysmë me klubin rrogozhinas. Lojtari i lindur në Maqedoninë e Veriut ka provuar të luajë më parë me Renovën e të tjera klube në vendin fqinj. Sulmuesi ka folur për “Panorama Sport” mbi eksperiencën e re tek Egnatia.

ademi ilirid

AVENTURA E RE – “Ashtu si shumë lojtarë të tjerë gjatë periudhës së merkatos, edhe unë kisha të tjera mendime. Të shumta ishin klubet nga disa kampionate që më kërkuan, por më bindi më shumë Egnatia. Nuk u mendova shumë për të pranuar. Mbeta i kënaqur që kur vura re stadiumin komod, financat e garantuara dhe kur mora vesh se tifozët këtu e duan shumë futbollin. Kam bindje të plotë se kam zgjedhur klubin e duhur që të tregoj vlerat e mia”.

NJOHJA E LIGËS – “Të luajturit në Kategorinë Superiore është ndihmë e madhe. Edhe me lojën që bën Egnatia po përshtatem gjatë stërvitjeve. Në kampionat besoj do të jemi më ndryshe. Shikoj që te skuadra ka përkushtim dhe kjo më jep besim se do i arrijmë qëllimet”.

SYNIMET – “Golat janë dëshirë e madhe për çdo sulmues. Fillimisht do të mendoj që të mësohem me lojën dhe skemat që do të na japë trajneri. Pastaj në fushë mbetet detyrë që të jem i vëmendshëm e të mos shpërdoroj asnjë rast. Shpresoj që ta nis me gol që në përballjen e parë që do të aktivizohem”, përfundoi sulmuesi i krahut.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"