Apolonia, fierakët presin shpërthimin e talentit Gjata

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2019 | 10:48

Apolonia, fierakët presin shpërthimin e talentit Gjata

Është një nga talentet e padiskutueshme që ka dalë nga moshat e Apolonisë. Qendërsulmuesi Mario Gjata ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për Apoloninë U-19, që u ngjit në Superligë sezonin që lamë pas, por edhe me ekipin e parë ka lënë gjurmë.

mario gjata apolonia

Shpesh është “penalizuar” nga ekipi i parë, për shkak të aktivizimit me të rinjtë e Apolonisë, ngaqë kjo e fundit kishte objektiv Superligën që e arriti me sukses. Megjithatë, 19-vjeçari është futbollist me premisa të qarta. Qysh 17 vjeç ka qenë pjesë e ekipit të parë, gjithmonë këmbëngulës dhe me shpirt gare, me një statistikë të konsiderueshme tek Apolonia e parë për moshën që ka: 1395 minuta dhe 3 gola në kampionat, 235 minuta dhe 3 gola në Kupë.

“Ndihem mirë për atë që kam bërë te të rinjtë e Apolonisë, tashmë në Superligë, por edhe për ekipin e parë”, thotë Gjata. Më tej, i riu fierak shpreh besimin për një kampionat të suksesshëm gjatë sezonit të ardhshëm dhe këtë nuk e thotë për fasadë. “Jemi një skuadër e organizuar mirë dhe ka pse të besojmë për të ardhmen, – vijon Gjata. – Nuk është deklaratë sa për të thënë, pasi kështu pretendojnë të gjitha skuadrat përpara fillimit të sezonit. Por klubi ynë është serioz në projektin e vet, ndaj jemi shumë optimistë dhe shumë të motivuar. Kam besim se do të jetë një Apoloni shumë më cilësore dhe shumë më e fortë se sezonin e kaluar”.

Një ndër nevojat e Apolonisë në këtë merkato verore është një sulmues goli, një “9” i mirëfilltë, në të njëjtin pozicion që luan Mario. I riu fierak e pret me sportivitet këtë gjë, madje shprehet se do të jetë indice pozitive edhe për të. “Sigurisht, një ekip me pretendime serioze ka nevojë për disa alternativa në të gjitha repartet. Konkurrenca është pozitive, sepse rrit mobilizimin dhe të bën më të përgjegjshëm. Nuk i trembem asaj dhe gjithmonë do të përpiqem për maksimumin tim, sikurse jam munduar në të shkuarën. Rivaliteti është në shërbim të ekipit dhe kjo është gjë shumë e mirë”, deklaron sulmuesi i Apolonisë. E ka një ëndërr djaloshi fierak: fanellën kuqezi. “Është ëndrra më e madhe e çdo futbollisti, edhe e imja. Përmes Apolonisë, shpresoj të marr një ftesë kuqezi”, përmbyll Mario Gjata.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"