Apolonia do fitoren e dytë, Miho nostalgjik para Besës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2018 | 14:29

Apolonia do fitoren e dytë, Miho nostalgjik para Besës

Apolonia do fitoren e dytë radhazi në transfertë. Pasi ia dolën në Cërrik, tashmë bardhejeshilët duan pikët e plota edhe përballë Besës në Kavajë. Marjol Miho shfaqet optimist para këtij sezoni, edhe pse nuk ngurron që t’u kërkojë lojtarëve që të jenë të kujdesshëm. “Gjendja e skuadrës mendoj se është gati optimale.

41244246_2161830007391556_2102877075441451008_n

Deri diku janë çliruar nga presioni ndrydhës i fillimit të sezonit dhe ekipi ka më tepër komportim e harmoni”, kështu e nisi deklaratën e tij për “Panorama Sport” kryepankina fierake. “E përsëris që deri tani më kënaqin veç fitoret e skuadrës, ndërsa pres shumë më tepër në nivelin e lojës. Kemi kualitete në ekip, kemi punuar fort, por stonimet e fillimit janë të natyrshme. Nuk kam dyshime që do të ngjitemi në cilësitë tona. Por, është thjesht çështje kohe, që të shkojmë aty ku të gjithë presim”, theksoi ai. Në fund, trajneri u fokusua te ndeshja kundër Besës, duke e cilësuar si një ndër transfertat më të vështira të kësaj faze. “Për Besën kam nostalgji dhe respekt, pasi dikur kam luajtur në radhët e kësaj skuadre.

sss

Është ekip i fortë, serioz, cilësor e me traditë. Një nga më të mirat e këtij kampionati dhe pa dyshim që ne e kemi vlerësuar në maksimum këtë ndeshje. Besa dhe Apolonia janë rivale të denja për njëra-tjetrën, dy skuadra të futbollit të bukur dhe korrekt, dy ekipe luftarake dhe me dëshirë për fitore. Të dyja do të kërkojnë 3 pikët dhe unë do të uroja që të fitojë skuadra që e meriton, duke besuar se do të jetë Apolonia. Atë që dua të theksoj, është se jam i bindur që do të jetë një luftë e bukur sportive, një ndeshje e ndershme siç e kanë traditë të dyja ekipet dhe fitoftë skuadra më e mirë”, përfundoi numri një i stolit të fierakëve.

Bujar Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"