Apeli i Qefalisë: Pikët janë jetike në këto momente, Dinamo ia del

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2024 | 10:15

Apeli i Qefalisë: Pikët janë jetike në këto momente, Dinamo ia del

Që pas fitores me Teutën në “Air Al bania” Dinamo ka kapur vendin e 4-t dhe në gjashtë javët e mbetura duhet ta ruajë atë. Vjen pas barazimit në Kukës, ku mund të kishte shkuar më mirë, por edhe pika nuk është për nënvlerësuar.

qefalija

Blutë luajnë sot, në orën 18:00, kundër Erzenit dhe fitorja është detyrim për skuadrën e Mehmetit, që në këtë ndeshje ka një grup më të plotë. Për të mos komplikuara situatat në vazhdim, Dinamo duhet të sigurojë 3 pikët dhe pastaj pse jo dhe të forcojë më tepër pozitat në renditje, duke përfituar nga ndonjë hap fals i rivalëve. Sfida luhet në “Air Albania” dhe kryeqytetasit kanë mundësinë të tregojnë vlerat e tyre më të mira.

QEFALIJA – Mesfushori Klevi Qefalija, i ardhur te blutë në merkaton e janarit, ka zënë vend tashmë në formacionin e trajnerit Mehmeti, në qendër të mesfushës, ndonjëherë edhe më i avancuar. Ish-lojtari i Tiranës ka shënuar 3 gola me fanellën e Dinamos, dy prej të cilëve në “Air Albania” kundër ish-skuadrës së tij. Për sfidën me Erzenin ai është shprehur për “Panorama Sport” se do ta trajtojnë me vlerësimin maksimal, sepse pikët janë jetike në këtë fazë të kampionatit.

“Për ne është një ndeshje radhe, që duhet fituar. Jemi në vend të katërt dhe nuk duhet të gabojmë deri në fund. Skuadra gëzon një formë të mirë dhe gjendja psikologjike është po ashtu shumë e mirë. Mendimi im është se tani pikët janë më të rëndësishme se gjithçka tjetër dhe duhet të bëjmë gjithçka për t’i marrë çdo ndeshjeje maksimumin. Në Kukës kishim mundësi për të marrë më shumë se barazimi, sepse rastet nuk na munguan, por futbolli kështu është dhe duhet të shohim përpara të përqendruar. Besoj se do të bëjmë një ndeshje të mirë dhe do të marrim atë që duam, fitoren”, ka thënë Qefalija.

ERZENI – Mesfushori ka vlerësim për shijakasit, teksa shprehet: “Erzeni për mua ka një ekip të mirë, që luan futboll të bukur, edhe pse qëndron në vendin e parafundit në renditje. Janë një kundërshtar i rrezikshëm dhe na duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të mos u ndëshkuar. Dinamos i bën punë vetëm fitorja, por nuk është se ka presion në skuadër. Jemi përgatitur mirë, me objektivin e qartë se kjo ndeshje duhet kaluar me sukses”.

RIKTHIMET – Për faktin që Dinamo ka një kontingjent më të plotë për ndeshjen me Erezenin, Qefalija thekson: “Patjetër që lojtarët që rikthehen nga ndeshja e fundit do të na ndihmojnë ndaj Erzenit. Zabërgja dhe Gudiabi janë lojtarë që kanë mbajtur peshë në skuadër gjatë këtij sezoni. Dinamo ka një grup mjaft të mirë, ku të gjithë duan të japin gjithçka për objektivin e këtij sezoni. Tani shohim vetëm ndeshjen me Erzenin, ku duhet të marrë 3 pikët”.

GOLAT – Në një kohë të shkurtër mesfushori kryeqytetas ka shënuar 3 herë për blutë. “Po, më ka ecur me golat te Dinamo, shpresoj pse jo të shënoj edhe me Erzenin, por rëndësi ka që të fitojë skuadra, sepse tani është koha për të mos humbur pikë”,ka përfunduar Klevi Qefalija.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"