Apeli i kreut të Komitetit Olimpik: Mjaft me dhunë, më shumë respekt për kundërshtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2019 | 19:21

Apeli i kreut të Komitetit Olimpik: Mjaft me dhunë, më shumë respekt për kundërshtarin

Të shumta kanë qenë reagimet për ngjarjen e rëndë në basketboll që tronditi të gjithë sportin shqiptar, ku lojtari i Tiranës Bruno Daliu ushtroi dhunë në parket ndaj gjyqtarit Jurgen Muho, gjatë ndeshjes së Superligës, ndërmjet Teutës dhe Tiranës.

viron bezhani

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka reaguar edhe Viron Bezhani, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, i cili dënon aktet e dhunës të shfaqura në Durrës. Ja çfarë shkruan kreu i KOKSH-it në faqen e tij në “Facebook”:

“Incidenti i rëndë që ndodhi ditën e shtunë në pallatin e sportit ‘Ramazan Njala’ në Durrës në ndeshjen e basketbollit Teuta-Tirana, ku një lojtar goditi gjyqtarin, është një ngjarje e shëmtuar për të gjithë sportin shqiptar, që për fat të keq bëri një hap pas. Vërtet një mëkat që një basketbollist të bëjë një gjest të tillë, përpara qindra shikuesve e kolegëve të tij, duke treguar edhe një herë anën e errët të sportit tonë. Edhe një herë tjetër bëhemi të shëmtuar para mijërave sportdashësve që kanë parë pamjet e rënda, një gjest që për çfarëdolloj arsyeje nuk duhej të kishte ndodhur në fushën e lojës. Harrojmë që pjesë e sportit jemi të gjithë, drejtues, trajnerë, sportistë, tifozë e gjyqtarë dhe pa njëri-tjetrin, pa bashkëpunuar e dëgjuar njëritjetrin, nuk bëjmë dot asnjë hap përpara në zhvillimin e tij.

Një veprim i shëmtuar që e uli ‘Fair Play’-n, për të cilin punojmë aq shumë çdo ditë, në nivelin zero. Sporti pranon fitoren e humbjen, ndonjëherë edhe mërzitemi kur na e hedhin me pa të drejtë, por kurrsesi dhuna nuk duhet të jetë pjesë e jetës sonë. Sidomos në sport, që edukon mijëra të rinj, që përcjellin te shikuesit një frymë tjetër, atë të respektit për njëri-tjetrin, pasi sporti mbi të gjitha është edukim dhe argëtim. Mjaft më akte të tilla dhune, pasi kështu vetëm sa dëmtojmë veten tonë, sportin tonë, shoqërinë tonë, që mes shumë vështirësish mezi arrin të hedhë një hap përpara. I ftoj të gjithë të respektojmë njëritjetrin, më shumë ‘Fair Play’ e vlerësim për kundërshtarin që kemi përballë, që ashtu si ne punon dhe stërvitet për të fituar. Respekt edhe për atë që na stërvit çdo ditë, por edhe për atë që na gjykon, pasi të gjithë së bashku argëtojmë publikun. Dhuna nuk ka vend në sportin dhe shoqërinë tonë, nuk duhet të jetë pjesë e saj, ndaj t’i mbyllim derën dhe t’i themi NDAL”, shkruan Viron Bezhani në deklaratën e tij.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"