Ankth te Partizani, rikthehet problemi në gjurin e djathtë të Alban Hoxhës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2018 | 9:46

Ankth te Partizani, rikthehet problemi në gjurin e djathtë të Alban Hoxhës

Kombëtarja shqiptare e futbollit është nisur drejt Izraelit pa asnjë futbollist nga Kategoria Superiore në përbërje. Alban Hoxha ka qenë i vetmi përfaqësues i Superiores në listën e hartuar nga trajneri Kristian Panuçi. Por, para nisjes për në Izrael, portieri i Partizanit ka pasur një dëmtim në gju, duke u larguar nga kuqezinjtë. “Një tjetër zëvendësim i detyruar për shkak të problemeve fizike në radhët e ekipit kombëtar të futbollit.

Albani Hoxha

Portieri Alban Hoxha është dëmtuar dhe nuk mund të udhëtojë sot (dje) me skuadrën drejt Izraelit. Në këtë situatë, trajneri i ekipit kombëtar Kristian Panuçi ka thërritur menjëherë t’i bashkëngjitet skuadrës portierin e ekipit kombëtar U21, Elhan Kastrati, i cili do t’i bashkohet skuadrës për ndeshjen zyrtare në Izrael”. Ky ishte njoftimi që FSHF shpërndau dje për mediat. Kurse në vend të Kastratit, që ishte pjesë ekipit Shpresa, trajneri Alban Bushi ka thirrur “gardianin” e Vllaznisë, Alen Sherri.

Alban Hoxha

Ankthi te Partizani- Dëmtimi i kapitenit e ka shtuar ankthin te Partizani, për vetë momentin e mirë që po kalon skuadra në kampionat dhe zërat se portieri mund të mungojë për disa javë. Pas dëmtimit që ka marrë në stërvitje me Kombëtaren, portieri është kthyer në kryeqytet ku ka kryer edhe ekzaminimet e para të dëmtimit. Sipas stafit mjekësor të Partizanit, mësohet se Hoxha ka kryer dje rezonancën magnetike dhe të hënën do të përcaktohet edhe shkalla e dëmtimit. Të kuqtë “luten” që dëmtimi të mos jetë problematik, pasi dihet se Hoxha është një nga pikat më të forta të Partizanit.

Hoxha Partizani

Në 8 javë kampionat, “demat” kanë pësuar vetëm një gol, edhe atë e kanë marrë një javën e parë në Korçë me penallti në minutat shtesë. Në shtatë ndeshjet në vijim, kapiteni Hoxha e ka mbajtur të paprekur rrjetën e portës, duke e bërë Partizanin skuadrën që ka pësuar më pak gola në Europë në këtë fillimedicioni. Pas një jave, të kuqtë presin Luftëtarin, ndeshja e fundit e fazës së parë dhe mungesa e kapitenit Hoxha do të ishte një goditje për kryeqytetasit, të cilët shpresonin që të ishin me organikë të plotë dhe pa probleme.

999

Historiku- Prej tri vitesh kapiteni i Partizanit ka pasur probleme me dëmtimin në gju. Gjithçka e ka zanafillën në dëmtim në gjurin e djathtë që portieri i Partizanit mori më 2 korrik 2015 në Norvegji në ndeshjen e Ligës së Europës ndaj Stromsgodsetit. Ai dëmtim i para tri viteve është bërë shpesh pengesë në ecurinë e “gardianit të kuq”, pasi në disa raste gjuri i ka shkaktuar probleme. Fati i mirë i kapitenit të kuq ka qenë se në të gjitha rastet ia ka “hedhur” pa ndërhyrje kirurgjikale, por vetëm me terapi.

Për momentin ka më shumë ankth sesa siguri për gatishmërinë e Hoxhës për ndeshjen e radhës me Luftëtarin. Ndaj, duhet pritur dita e nesërme për të mësuar fatin e kapitenit të “demave të kuq”, i cili nëse nuk ia del, ia dorëzon stafetën portierit Dashamir Xhika.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"